Armelindo Mema premton cilësi & teknikë për sulmin kuqezi - FSHF

Armelindo Mema premton cilësi & teknikë për sulmin kuqezi

Edhe pse bota është e mbërthyer nga kufizimet e shkaktuara nga pandemia Covid-19, kjo nuk e pengoi futbollistin Armelindo Mema, që të bashkohej me ekipin Kombëtar U-19 muajin e kaluar për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit kuqezi, Armando Cungu. Talenti shqiptar i rritur në Angli i mori leje klubit të tij Queens Park Rangers dhe u paraqit në grumbullimin e kuqezinjve.

Më herët ai ka qenë pjesë edhe e ekipeve të tjera të moshave kuqezi, teksa përgatitet të bëjë hapin e madh, edhe pse është 18 vjeç. Bëhet fjalë për një sulmues mjaft teknik, i cili mund të luajë qoftë si pykë, qoftë edhe si sulmues i tërhequr që mund të krijojë hapësira për vete dhe ekipin falë aftësive të tij me topin.

Duke folur për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org, Mema shprehet se ndihet shumë mirë me fanellën kuqezi dhe nuk e fsheh kënaqësinë e të qenit pjesë e ekipeve kombëtare.

“Marrëdhënia ime me lojtarët dhe me trajnerin në ekipin Kombëtar U-19 është e shkëlqyer. Shkoj mirë me të gjithë shokët e skuadrës. Mund të them se atmosfera është pozitive dhe puna që bëhet është shumë profesionale. Gjithashtu, më kanë pritur shumë mirë që të gjithë dhe më kanë bërë të ndihem si në shtëpi”, – thotë Armelindo, teksa kujton edhe një nga momentet më të veçanta të eksperiencës së tij me kuqezinjtë.

Në miqësoren e Kombëtares U-18 të 25 prillit 2019 ndaj Maqedonisë së Veriut, trajneri Nevil Dede vendos ta hedhë në fushë në pjesën e dytë Memën, teksa rezultati ishte në shifrat 0-0. Talenti i ri arriti të zhbllokojë rezultatin në çastet e fundit të sfidës, duke realizuar golin e fitores 1-0. Një ndjesi fantastike për Memën të shijonte ato emocione me fanellën kuqezi.

“Momenti më i bukur për mua me fanellën e Shqipërisë ishte ai kur luajta në miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut U-18 në prill të vitit 2019 në stadiumin e Librazhdit. Arrita të shënoj golin e vetëm të takimit në minutat e fundit dhe falë atij goli ne fituam me rezultatin 1-0. Të festoja me skuadrën, tifozët dhe familjarët e mi në stadium ishte një ndjesi fantastike”, – tregon sulmuesi i ri.
Sigurisht, ashtu si edhe të gjithë bashkëmoshatarët e tij, Mema i ka të qarta objektivat, për t’u bërë një futbollist me emër në të ardhmen, qoftë në nivel klubi, ashtu edhe me përfaqësuesen shqiptare.

“Objektivi im është që të bëhem një futbollist gjithmonë e më i mirë si edhe të transferohem në një klub të madh në një prej kampionateve më të rëndësishme në Europë. Gjithashtu, synoj që të përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë në turnetë ndërkombëtare dhe të luaj sa më shumë ndeshje me fanellën kuqezi”, – shton Armelindo.

Edhe ai, si shumë të rinj në futboll, ka idhull Kristiano Ronaldon dhe e sheh yllin portugez si në një model frymëzimi në karrierën e tij.

“Idhulli im në futboll është Kristiano Ronaldo. Kur isha i vogël ndiqja shumë ndeshje të Mançester Junajtid dhe duke parë këtë kampion në fushë u bëra edhe tifoz i skuadrës së madhe angleze. Përkushtimi ndaj futbollit dhe puna e palodhur e Ronaldos janë një frymëzim i madh për mua”, – thotë ndër të tjera Armelindo Mema.