Arbitrat & Arbitret e dalë nga Akademia e Arbitrimit i nënshtrohen testeve fizike - FSHF

Arbitrat & Arbitret e dalë nga Akademia e Arbitrimit i nënshtrohen testeve fizike

Paraditen e kësaj të shtune 30 arbitra të rinj dhe 18 arbitre vajza zbritën në fushë, për t’iu nënshtruar testeve fizike. Arbitrat e rinj dhe gjyqtaret vajza zhvilluan testet fizike në ambientet e njërës prej fushave në ‘Shtëpinë e Futbollit’.

Në një mbledhje paraprake, drejtuesi i këtij Sektori, si edhe specialistë të arbitrimit vlerësuan performancën në rritje të arbitrave të rinj, të cilët kanë dalë nga edicioni i tretë i ‘Akademisë së Arbitrimit’. Më tej, u diskutua edhe për vazhdimësinë e sezonit futbollistik, teksa duhet theksuar se arbitrat e rinj gjykojnë ndeshjet e moshave dhe të Kategorisë së Tretë në kampionatin shqiptar.

Ndërsa 18 arbitret vajza i janë nënshtruar edhe më parë testeve fizike, teksa janë edhe pjesë e trupës së arbitrimit në ndeshje të kampionatit ‘Abissnet Superiore’, për arbitrat e rinj, kjo ishte hera e parë që i nënshtroheshin testimeve fizike.

Në një prononcim për fshf.org, gjyqtarja Mirjeta Salla falënderoi FSHF-në për seminaret teorike e fizike që zhvillon, duke i ndihmuar të përmirësohen sa më shumë. “Si çdo vit, përpara fillimit të fazës së dytë të kampionatit jemi mbledhur të kryejmë testet fizike, ku ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit testimet po i kryejmë në ‘Shtëpinë e Futbollit’.

Falenderojmë Federatën që na mban gjithmonë aktivë dhe na jep mundësinë që të përmirësojmë më shumë veten në aspekt kombëtar. Zhvillojmë seminare të ndryshme teorike, ku kemi mundësinë të shikojmë video të ndryshme nga kampionati shqiptar dhe i huaj për t’u përmirësuar”- tha gjyqtarja Mirjeta Salla.

Duke rritur cilësitë e tyre, performancën në fushë, si edhe duke qenë pjesë e këtyre testimeve, arbitrat e rinj mund të kenë mundësinë të promovohen edhe në ndeshjet e kategorive më sipër të kampionatit shqiptar.