“Analizë Superiore” në FSHF TV/ Nga derbi tek supersfida për vendin e parë, garë e fortë në “Abissnet Superiore” - FSHF

“Analizë Superiore” në FSHF TV/ Nga derbi tek supersfida për vendin e parë, garë e fortë në “Abissnet Superiore”

Java e 33-të e “Abissnet Superiore” solli pesë përballje delikate, ku spikati derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, si dhe sfida për kreun mes Elbasanit dhe Vllaznisë. Kur kanë mbetur edhe tri javë deri në fundin e sezonit të rregullt, të gjitha skuadrat janë në garë për të arritur objektivat e tyre.

“Analizë Superiore” solli episodin e shtatë, nën drejtimin e Jurgen Zelës dhe me analizën teknike të video-analistit të Federatës së Futbollit, Xhoen Tugu. Pesë takimet e luajtura nga e shtuna deri të hënën u analizuan në një prizëm më të detajuar, duke sjellë një këndvështrim tjetër në “FSHF TV”. Një analizë deri në detaje mbi vendosjen e skuadrave, si dhe interpretimi i disa prej golave të shënuar dhe episodeve të veçanta, që i japin një dimension tjetër elitës së futbollit shqiptar.

Elbasani arriti që pas javës së 33-të të marrë vendin e parë, teksa mposhti në shtëpi 3-1 Vllazninë, duke zbritur pikërisht shkodranët në vendin e dytë. Pavarësisht humbjes me Vorën, Egnatia u bë skuadra e tretë që siguroi “Final 4”, pas humbjeve që pësuan Partizani dhe Dinamo City, të cilat u mundën respektivisht nga Tirana dhe Flamurtari. Teuta u mund 2-0 në transfertën e Ballshit ndaj Bylisit dhe tashmë e sheh veten të rrezikuar për rënien nga kategoria. Të gjitha ndeshjet janë analizuar në detaje në “Analizë Superiore”.

Gjithçka mbetet e hapur në garën për mbijetesë, teksa tani janë pesë skuadra që rrezikojnë, ndërsa për “Final 4” çdo pikë vlen maksimalisht. Dinamo City dhe Partizani ndodhen në kuotë të barabartë pikësh dhe pritet me interes se cila do të jetë skuadra e katërt që do të sigurojë pjesëmarrjen në fazën finale për titullin.

Emisioni “Analizë Superiore” transmetohet çdo javë në FSHF TV në orën 18:00, duke sjellë analizë profesionale, statistika dhe interpretim taktik të ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore”.


Duke kontrolluar karten...