“Abissnet Superiore” është futur në fazën e saj më interesante, teksa kanë mbetur dhe katër javë nga fundi i edicionit të rregullt. “Analizë Superiore”, solli si çdo javë momentet më interesante të javës që lamë pas, teksa pesë sfidat e javës së 32-të të “Abissnet Superiore” u pasqyruan në një këndvështrim të detajuar në FSHF TV. Nën drejtimin e Jurgen Zelës dhe me analizën teknike të video-analistit të Federatës së Futbollit, Xhoen Tugu, pesë takimet e luajtura mes të shtunës dhe të dielës u analizuan në një prizëm më të detajuar.
Momentet më të rëndësishme të ndeshjeve dhe vendosjet takiket të trajnerëve, shoqëruara me statistikat kryesore dhe me interpretimin teknik të situatave vendimtare në fushë, krijuan një panoramë ndryshe të kampionatit “Abissnet Superiore”.
Elbasani u bë skuadra e dytë e cila siguroi “Final4”, pas fitores me përmbyesje ndaj Teutës, ndërsa gabuan në ndeshjet e tyre: Vllaznia e cila barazoi me Vorën, Egnatia që u mund në shtëpi nga Flamurtari i vendit të fundit si dhe Dinamo City e Partizani, të cilat barazuan me rezulatin e njëjtë 1-1, respektivisht ndaj Tiranës dhe Bylisit.
Gjithçka mbetet e hapur në garën për mbijetesën, ndërsa për “Final4” çdo pikë vlen maksimalisht, pasi në fundin e sezonit të rregullt, katër ekipet e renditura më mirë, do të luajnë një turne me tre javë, garë e cila do të nisë me përgjysmimin e pikëve të sezonit të rregullt.
Emisioni “Analizë Superiore” transmetohet çdo javë në FSHF TV në orën 18:00, duke sjellë çdo javë analizë profesionale, statistika dhe interpretim taktik të ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore”.

















