Java e 31-të e kampionatit “Abissnet Superiore” e bëri garën edhe më interesante, ndërsa episodi i pestë i emisionit “Analizë Superiore” solli në fokus momentet më të rëndësishme të pesë takimeve të zhvilluara mes të shtunës, të dielës dhe të hënës.
Nën drejtimin e Jurgen Zelës dhe me analizën teknike të video-analistit të Federatës së Futbollit, Xhoen Tugu, u ofrua një këndvështrim më i thelluar dhe i veçantë, i bazuar në analizën taktike dhe statistikore të sfidave të javës së 31-të të “Abissnet Superiore”.
Momentet më të rëndësishme të ndeshjeve, disa prej golave të shënuar dhe strategjitë e trajnerëve u interpretuan përmes analizës video, duke ofruar një pasqyrë më të qartë për atë çka ndodhi në javën e 31-të të elitës së futbollit shqiptar.
Në këtë episod u analizuan suksesi i Vllaznisë ndaj Teutës, triumfi i vështirë i Elbasanit ndaj Partizanit, fitorja e Tiranës ndaj kampionëve të Egnatias, barazimi mes Flamurtarit dhe Vorës, si edhe ai mes Bylisit dhe Dinamo City. Vëmendje të veçantë mori suksesi i Vllaznisë, që u bë ekipi i parë që siguroi pjesëmarrjen në Final 4, ndërsa një hapësirë e rëndësishme iu kushtua edhe garës për mbijetesë, ku konkurrenca mbetet shumë e fortë.
Emisioni “Analizë Superiore” transmetohet çdo javë në FSHF TV, duke sjellë çdo javë analizë profesionale, statistika dhe interpretim taktik të ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore”.

















