Ambasadori i Iranit, viziton FSHF - FSHF

Ambasadori i Iranit, viziton FSHF

Ambasadori i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri GholamHossein Mohamad Nia, ka vizituar sot paradite selinë e Federatës së Futbollit. Numri 1 i selisë diplomatike iraniane në Tiranë, është pritur nga Presidenti i FSHF Armand Duka. Pasi është njohur me historinë e futbollit shqiptar duke bërë një vizitë në muzeun e institucionit.

Në takimin me Presidentin e Federatës, ambasadori iranian theksoi:

“I vlerësoj shumë arritjet e futbollit shqiptar, gjatë gjithë historisë së tij dhe në mënyrë të veçantë ato të kohëve të fundit, ku spikat kualifikimi për në finalet e Kampionatit Europian. Ju keni bërë një punë të mrekullueshme dhe për këtë, gjej rastin t’ju përgëzoj. Rritja e futbollit shqiptar është evidente dhe vazhdueshmëria në këtë rrugë, është shumë e rëndësishme”.

Abasadori Mohammadnia, i uroi futbollit shqiptar suksese të tjera të rëndësishme, duke përfshirë edhe kualifikime në kompeticione të mëdha si Kampionati Botëror dhe Kampionati Europian.

Më pas e mori fjalën Presidenti i Federatës Armand Duka. “Më vjen mirë për vlerësimet që ju bëtë për futbollin shqiptar, për arritjet e ekipit kombëtar dhe për punën e bërë nga ana e Federatës. Ndjehem vërtet i nderuar, që ndër vizitat e para në Shqipëri si përfaqësuesi më i lartë i shtetit tuaj, ju e keni kryer në shtëpinë e futbollit shqiptar”.

Më pas Presidenti Duka bëri një përmbledhje të projekteve dhe planeve që ka Federata, për zhvillimin e futbollit shqiptar. Në takim, ambasadori iranian shoqërohej nga i Ngarkuari me Punë i ambasadës Iraniane Reza Ghanavi dhe atasheu kulturor i Iranit në Tiranë, Seyed Ahmad Hosseini.