Zyrat Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit, në qytetet e Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit, kanë zhvilluar disa aktivitete futbollistike, me shkollat, në bashkëpunim Drejtoritë Arsimore përkatëse të këtyre qyteteve.

Aktivitete futbolli në Durrës, Shkodër, Elbasan
29/04/2014 9:50 AMNë Durrës u zhvilluan disa ndeshje futbolli, në shkollat 9-vjeçare “Qemal Mici” dhe “Nënë Tereza”. Në këto aktivitete, morën pjesë si djem ashtu edhe vajza. Këto promovime të lojës së futbollit do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, në qytetin e Durrësit.
Në Shkodër në kompleksin “Zmijani”, Zyra Rajonale zhvilloi një turne futbolli, ku morën pjesë rreth 150 nxënës, që zhvilluan mbi dhjetë takime në fushat e minifutbolli, ndërsa katër ndeshje u zhvilluan në fusha të mëdha. U dalluan në këto aktivitete, në mënyrë të veçantë nxënësit e shkollës “Austriake”.
Në kodrën Krastë të qytetit të Elbasanit u zhvillua një turne futbolli në bashëkpunim me Drejtorinë arsimore në Elbasan dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Në të morën pjesë nxënës të tre shkollave 9 vjeçare të këtij qyteti “ Pedagogjike”, “Naim Frashëri” dhe “Sul Misiri”. E veçanta e këtij turneu, ishte se në të gjitha skuadrat, përveç djemve, ishin të përfshirë edhe vajzat. Fituese e Turneut u shpall shkolla “Pedagogjike”, ndërsa trofeu i nderit ju dhurua Qendrës Kulturore të Fëmijëve Elbasan.
















