Shkodra ishte etapa e radhës për iniciativën e Federatës së Futbollit, Akademinë e Arbitrimit. Pas Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, projekti i nisur nga FSHF u prezantua këtë të enjte edhe në kryeqendrën e veriut, pikërisht në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Nisma për Akademinë e Arbitrimit, që Federata e Futbollit do të çelë në 2 tetor të këtij viti është prezantuar përpara studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në sallën e Bibliotekës Universitare. Në një interes madhor dhe nën kurimin e FSHF-së dhe kujdesit të Rektorit të Universitetit Prof.Dok.Adem Bekteshi, studentët u informuan për këtë projekt nga vetë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, I cili pas Elbasanit ka qenë sërish sot edhe në Shkodër. Për kreun e FSHF-së, pjesa e gjykimit gjithmonë mbetet në qendër të vëmendjes: “Akademia e Arbitrimit është një nga prioritetet tona të këtij viti. Po e promovojmë në mënyrë që të kemi sa më shumë arbitra në dispozicion. Në Shkodër kishte interes të madh, ndërsa më pëlqeu që pjesa më e madhe e sallës ishin femra. Është mirë të jesh arbitër, sepse kjo është një formë sporti. Të siguron të ardhura të mira, ndoshta edhe si profesion i dytë, por është edhe një profesion i cili garanton vazhdimësi edhe në momentin kur shkëputesh nga fusha”- theksoi Presidenti Duka.
Në këtë bashkëbisedim me studentët nuk munguan edhe pyetjet e te rinjve ndaj drejtuesve të lartë të futbollit shqiptar. Presidenti Armando Duka beri të ditur se pret nga Shkodra, djepi i futbollit shqiptar, që të jetë shembull edhe me arbitrat e rinj, duke i bërë kështu thirrje të rinjve e të rejave ta përqafojnë këtë projekt që pritet të marrë start në 2 tetor, ku do të nisë realisht një shkollë e mirëmenduar arbitrimi, për këdo, djalë apo vajzë që dëshiron të ndërtojë një karrierë në fushë për të dhënë drejtësi. Përpos arbitrimit, paralelisht FSHF do të mbështesë fuqimisht dhe vazhdimisht futbollin e fëmijëve dhe futbollin e sallës.

















