Pas Universitetit të Sporteve në Tiranë, nisma dhe njëherësh, prioriteti më i fundit i FSHF-së për ngritjen e një Akademie Arbitrimi është prezantuar mes një auditori studentësh dhe studentesh në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Një projekt që ka marrë udhë tashmë, si edhe suportin e Presidentit Armand Duka dhe të Komitetit Ekzekutiv dhe që ka të bëjë direkt me afrimin e shumë të rinjve dhe të rejave që duan paralelisht projekteve të tyre në arsim, të jenë edhe pjesë e arbitrimit të futbollit në të ardhmen. Tahir Kastrati, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së përcolli përpara auditorit edhe këtë nismë, si një angazhim më vete institucional i FSHF-së. Z.Kastrati ftoi të gjithë studentët që të aplikojnë në sitin zyrtar të FSHF-së dhe të provojnë këtë mundësi, tashmë zyrtare dhe konkrete. Nga ana tjetër Sokol Jareci, përfaqësues i sektori të Gjykimit në FSHF përcolli me detaje edhe elementët e këtij projekti që tashmë ka marrë udhë dhe që gjen mbështetjen e FSHF-së, teksa u shpjegoi në detaje studentëve edhe mënyrën e aplikimit, fazën e startit të projektit si edhe të gjithë kriteret e tjera apo etapat që do të ndiqen. Spikatën në këtë aktivitet të sotëm edhe ngacmimet me pyetje nga salla, teksa në fund të prezantimit të nismës, disa studente u rregjistruan duke iu bashkuar kështu nismës dhe të gjithë aplikantëve të tjerë për frekuentim të Akademisë së Arbitrimit, të cilët në javën e dytë të shtatorit do të grumbullohen për startin e Akademisë, me një plan të mirëdetajuar dhe suport të plotë. Pas Tiranës dhe Durrësit, në javët në vijim, grupi i punës do të vijojë me tryezën e prezantimit dhe të bashkëbisedimit për Akademinë e Arbitrimit, me studentë të Universitetit të Elbasanit, më pas në Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Të gjithë interesuarit mund të plotësojnë formularin e aplikimit për të qenë pjesë e Akademisë së Arbitrimit, duke hyrë në faqen zyrtare të FSHF-së, www.fshf.org.

















