Pas Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës vazhdon promovimi i projektit më të ri të FSHF-së, për ngritjen e një Akademie Arbitrimi. Të enjten në aulën e Universitetit të Korçës në orën 12.30 do të jenë studentë të këtij auditori të arsimit të lartë për tu njohur me këtë nismë. Një trupë drejtuese e FSHF-së do të prezantojë nismën, duke vijuar raundin e saj të prezantimit të projektit që do të marrë start në 2 tetor të këtij viti. Mbi 150 aplikantë janë rregjistruar online deri tani për të marrë pjesë në periudhat e planifikuara nga Sektori i Arbitrimit për axhendën e funksionimit të akademisë. Shkolla e Arbitrimit është prioritet kryesor i FSHF-së për këtë vit, në një kohë që sektori përkatës është duke bërë gati të gjithë kurrikulën që do të përcillet në orët mësimore teorike për të gjithë ata të rinj dhe të reja që do të frekuentojnë këtë Akademi. Të enjten e datës 4 maj, ky projekt do të zbresë për prezantim në Korçë, teksa spikat fakti që trendi i rregjistrimeve vjen në rritje.

















