Përfundon edhe turi i promovimit për Akademinë e Arbitrimit i cili pas një fushate kombëtare të prezantimit nëpër Universitetet e ndryshme në Shqipëri ka nxjerrë konkluzionet përkatëse edhe në një dalje publike në FSHF, nëpërmjet prezencës të Presidentit të Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati dhe Koordinatorit kryesor të Projektit për Akademinë, Sokol Jareci. Afro 150 aplikantë do të jenë gati në muajin shtator në fillimin e kësaj shkolle të mirëfilltë arbitrimi për të bërë rekrutimet e mundshme në një kohë që Jareci përcolli edhe faktin që ky projekt do të ndahet në 2 faza. Nga data 14 deri 28 shtator do të zhvillohet në Korçë, më pas në Tiranë dhe në Janar 2018 do të jetë etapa e radhës po me këtë grup. Janë mbi 25 vajza në këtë grup të parë aplikantësh të cilët kanë vendosur të jenë në këtë Akademi, dhe të zgjedhin të arbitrojnë. Sidoqoftë, aplikimi mbetet ende I hapur dhe online në faqen zyrtare të FSHF-së në WEB, fshf.org për këdo që dëshiron të marrë pjesë. Ndërkaq, interesi nga ana e gazetarëve për Kastratin e Jarecin ishte edhe për performancën e arbitrave në Kategorinë Superiore, ku vetë Kastrati e konsideroi këtë moment për arbitrat si gabime krejtësisht të paqëllimshme, teksa evidentoi edhe faktin që gjatë kësaj periudhe arbitrat kanë qenë nën një presion psikollogjik. Për Kastratin, gabimet kanë qenë tërësisht të kuadrit njerëzor dhe aspak nuk është konstatuar ndonjë shenjë tendence.

















