“Abissnet Superiore” nis me sfidën Kukësi-Tirana, festë në “Kukës Arena” për edicionin e ri 2022/2023 - FSHF

“Abissnet Superiore” nis me sfidën Kukësi-Tirana, festë në “Kukës Arena” për edicionin e ri 2022/2023

Edicioni i 84-t i kampionatit kombëtar të futbollit “Abissnet Superiore” ka nisur sot zyrtarisht rrugëtimin për sezonin 2022/2023 me ndeshjen hapëse Kukësi – Tirana që u luajt në stadiumin “Kukës Arena”.

Impianti modern i inauguruar në fund të sezonit të kaluar mirëpriti kështu premierën e kampionatit elitar të futbollit shqiptar, që pritet të dhurojë shumë emocione dhe spektakël në fushë. Para nisjes së sfidës siç e do tradita Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një ceremoni festive me pjesëmarrjen edhe të futbollistëve të vegjël kuksianë.

Ndërkaq, topin e parë nga mesi i fushës e ka shkelmuar ish-futbollisti i Pëllumb Kërxhaliu, i cili ka qenë kapiteni i skuadrës kuksiane në vitet ’70-’80. Goli i parë i këtij edicioni u shënua nga sulmuesi kuksian Klejdi Daci.

Ekipet që marrin pjesë këtë sezon në “Abissnet Superiore” janë Tirana, Partizani, Kukësi, Vllaznia, Teuta, Laçi, Egnatia, Bylis, Kastrioti dhe Erzeni.

Java e parë e “Abissnet Superiore 2022/2023” do të vijojë nesër me ndeshjet Erzeni – Vllaznia (ora 17:00, stadiumi “Niko Dovana”) dhe Partizani – Egnatia (ora 19:30, stadiumi “Elbasani Arena”. Të dielën do të luhen edhe dy sfidat e fundit, Laçi-Teuta (ora 17:00) dhe Bylis-Kastrioti (ora 17:00). Të gjitha ekipet kanë qenë shumë aktive gjatë merkatos së verës, duke u përforcuar dhe duke premtuar një garë mjaft të ndezur.