5x5/ Garë e fortë në pesë zona ku luhet futboll, ja ndeshjet më të spikatura të javës - FSHF

5×5/ Garë e fortë në pesë zona ku luhet futboll, ja ndeshjet më të spikatura të javës

Një tjetër javë e futbollit amator 5×5, e organizuar nga FSHF, ka ulur siparin dhe ka zhvilluar ndeshjet e saj në pesë zona të Shqipërisë.

Në Tiranë, ATS vijon të ruajë pozitat e vendit të parë me 31 pikë në grupin e parë, ndjekur nga Jultoni me një pikë më pak, që mori një fitore të rëndësishme ndaj DHT United dhe në vendin e tretë me 29 pikë gjendet Holle Team që ka shkatërruar në ndeshjen e javës më shifrat 17-4 skuadrën e Armagedonit.

Sakaq, në grupin e dytë, tre skuadrat që renditen në “Top 3”, Tirana 5×5, Prestige B dhe Provinca kanë siguruar tre fitore, duke vijuar të ruajnë pozicionet aktuale. Tirana 5×5 në vendin e parë në kuotën e 39 pikëve, Prestige B me 34 pikë ndërsa Provinca në vendin e tretë me 31 pikë.

Në grupin e tretë, ndeshja më pikante e javës ishte ajo mes vendit të dytë dhe vendit të tretë,  Nabuço Lounge –  Nova, me këta të fundit që fituan me rezultatin e thellë 0-7, ndërsa vendi i parë, Çermenika vijon të ruajë kryesimin me 41 pikë, 10 pikë larg vendit të dytë dhe të tretë, duke fituar edhe këtë javë me shifrat 12-5. Edhe në grupin e katërt, pozitat nuk kanë ndryshuar, me Sony A.D që ruan vendin e parë me 36 pikë, i ndjekur nga Selecti me 3 pikë më pak dhe në vendin e tretë renditet Kulla 60 me 30 pikë.

Ndërkaq, në grupin e pestë Vivi la Vita mundi me shifrat e thella 12-6 Tulipanët, duke ruajtur vendin e parë, teksa në grupin e gjashtë, gara është bërë më e fortë, me Kalçeto Ademin dhe Prestige MFC që edhe këtë javë kanë fituar ndeshjet respektive dhe ndajnë pikë të barabarta në kampionat, secila me nga 36.

Në Durrës e Elbasan gjithashtu luhet futboll 5×5. Në Durrës, kampionati është i ndarë në dy grupe, me FJT që renditet i pari në grupin A dhe Sallmani SC në grupin B. Sakaq, AMG Studio kryeson kampionatin në Elbasan me 21 pikë, ndërsa në vendin e dytë e të tretë renditen Elite Sport dhe Sh.S. Pepa. Në Shkodër, Air Albania ruan pozitat e kryesueses me 11 pikë, ndërsa edhe në Cërrik, FC Shalsi vijon të jetë në krye të tabelës.