Kampionati 5×5 / Armata e Veriut shpallet kampione e Durrësit, nis play-off-i në Tiranë - FSHF

Kampionati 5×5 / Armata e Veriut shpallet kampione e Durrësit, nis play-off-i në Tiranë

Kampionati i futbollit amator 5×5 po i afrohet fundit të sezonit dhe ka nisur të shpallë verdiktet në disa prej zonave të Shqipërisë. Ditën e hënë në një atmosferë të ndezur nga tifozët e shumtë të pranishëm është luajtur edhe finalja e zonës së Durrësit mes Armatës së Veriut dhe KS1, që përfundoi me fitoren 5-2 të Armatës së Veriut. Kjo e fundit u shpall kështu kampione e zonës së Durrësit në përfundim të një sezoni të mbushur me emocione dhe plotë gola.

Në përfundim të sfidës u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut, që u organizua nga zyrtarë të FSHF-së e ku merrnin pjesë personalitete të futbollit. Ky kampionat i futbollit amator po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e futbolldashësve në çdo cep të vendit.

Ndërkaq, po të hënën ka nisur të luhen edhe ndeshjet e fazës play-off të zonës së Tiranës, ku marrin pjesë 16 skuadra. Sfida hapëse ishte ajo mes Çermenikës dhe Dajtit, që u fitua 2-0 nga Dajti, teksa sot do të luhen edhe 3 duele të tjera Çamëria-Provinca, ATS-Prestige B dhe Sony AD – Holle Team.

Të enjten dhe të premten do të luhen edhe ndeshjet e tjera Prestige MFC – Nova, Kalçeto Ademi – Black Eagles, Tirana 5×5 – Beautiful Albania dhe Julton – Select.