Zbatimi i sistemit VAR, FSHF pret në takim homologët e Kosovës - FSHF

Zbatimi i sistemit VAR, FSHF pret në takim homologët e Kosovës

Sistemi VAR është projekti i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit për Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022, projekt i cili mbulohet i gjithë me buxhetin e FSHF-së.

Prej më shumë se dy vitesh Federata e Futbollit është duke punuar intensivisht për këtë projekt që do të rrisë akoma më shumë cilësinë dhe besueshmërinë e futbollit shqiptar.

E ndërkohë që jemi pothuajse në fund të procesit parapërgatitor, në Federatën e Futbollit është zhvilluar një takim mes zyrtarëve të FSHF-së dhe homologëve të FFK për të ndarë eksperiencën tonë, momentet ku mund të bashkëpunojmë dhe në të njëjtën kohë u ndanë hapat që duhet të ndiqen momentalisht në këtë procesi impenjativ.

Drejtuesi i projektit, Lysien Nurishmi, Instruktori i VAR-it, Sokol Jareci dhe Andi Verçani si përgjegjës i komunikimit për këtë projekt, ndanë etapat që ka ndjekur federata gjatë këtyre dy viteve ku pas “Kick-Off”, takimit të parë me përfaqësuesit e IFAB dhe FIFA, janë bërë trajnime të arbitrave, instruktorëve dhe operatorëve të VAR-it, të cilët janë tashmë gati për të operuar nga java e parë e sezonit të ardhshëm futbollistik në Kategorinë Superiore.

Homologët e FFK-së vlerësuan takimin dhe theksuan se janë duke punuar intensivisht për të arritur të jenë të gatshëm për sezonin e ardhshëm. Aktualisht kanë kaluar etapën e parë ku janë dakordësuar për parimet bazë me IFAB dhe FIFA dhe janë duke filluar procesin e trajnimit të stafit që angazhohet në proces dhe në momentin e implementimit.