Workshop-i i të drejtës sportive, Topçiu: Mënyrë e mirë takimi mes ekspertësh & zgjerim network-u - FSHF

Workshop-i i të drejtës sportive, Topçiu: Mënyrë e mirë takimi mes ekspertësh & zgjerim network-u

Çështjet e të drejtës së sportit kanë qenë në fokusin e diskutimeve mes ekspertëve të fushës në workshop-in e zhvilluar pak ditë më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit me temë “Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, Çështje të Zgjedhura Procedurale dhe Fair-Play Financiar”.

Me pjesëmarrjen e figurave të njohura të së drejtës sportive në Europë dhe në Shqipëri si, Giulio Palermo avokat në studion Archipel në Gjenevë, Jacopo Tognon, Avokat, Pedagog i Universitetit të Padovas dhe Arbitër në KAS si dhe William McAuliffe, Kreu i Disiplinës në UEFA apo edhe anëtarët e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, anëtarët e Komisionit të Apelit, DHKZK dhe Komisionit të Licencimit si dhe juristë e përfaqësues të klubeve anëtare të FSHF-së, ky workshop është kthyer në një platformë mjaft të mirë komunikimit dhe shkëmbimi eksperiencash.

Drejtori i Departamentit Ligjor & Licencimit në FSHF, Aldi Topçiu, duke folur për Fshf.org shprehet se përshtypjet e pjesëmarrësve ishin mjaft pozitive dhe ky aktivitet është vlerësuar nga të gjithë si një mënyrë e shkëlqyer takimi të teknikëve dhe specialistëve të së drejtës sportive.

“Përshtypjet duhet të them që ishin mjaft pozitive. Mjafton të shohësh reagimet që kanë pasur disa nga autoritetet të së drejtës sportive në Europë ndaj këtij eventi, për të kuptuar impaktin që ky workshop kishte. Ishte impakt, që të jem i sinqertë, ishte shumë më i madh se sa e prisja personalisht.

Të gjithë pjesëmarrësit kanë sjellë përshtypje pozitive dhe folësit kanë pasur një reagim optimist, në radhë të parë duke falënderuar për mundësinë dhe duke e konsideruar tashmë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe platformat që ajo ofron si një mënyrë e mirë takimi të teknikëve dhe specialistëve të së drejtës sportive.

Mendoj që këto janë tema gjithnjë aktuale, jo vetëm për realitetin e Shqipërisë në këto momente, por edhe në mbarë Evropën janë tema aktuale sepse e drejta sportive është një ndër ato të drejta dinamike, e cila ndryshon ashtu siç ndryshon edhe merkato e futbollit me sezone shumë të shkurtra, ku dihen ato rregullat dhe shtyllat kryesore, por që gjithmonë ka hapësirë për njohuri më të thelluara, ka hapësirë për informacione të reja dhe mbi të gjitha ka hapësirë për njohje të reja e kontakte, zgjerim të network midis profesionistëve”, – thotë Topçiu, teksa përmend edhe bashkëpunimet që kanë lindur pikërisht përmes workshop-eve të tilla.

“Vlen për t‘u përmendur që nga eksperienca e workshop-it të mëparshëm, klubet tona anëtare kanë krijuar kontakte me zyra avokatie që merren me të drejtën sportive dhe i kanë transformuar këto kontakte në histori të suksesshme bashkëpunimi. E tillë ka qenë dhe historia jonë e suksesit me çështjen që ne kishim kundër FIFA-s për Nedim Bajramin, e cila nisi si një bashkëpunim nga workshop-i i kaluar dhe nga takimet që u mundësuan në atë event. Unë mendoj që kjo u cek edhe nga fjala përshëndetëse e zv.Presidentit të FSHF-së, z. Libohova, i cili me të drejtë kujtoi që kjo është një nisëm e marrë disa vite më parë, ku ne kemi pasur të ftuar disa nga avokatët, gjyqtarët dhe juristët me emër në të gjithë Evropën, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, përfaqësues të studiove të rëndësishme avokatore dhe zv.Presidenti e ceku pak këtë temë kur tha që pandemia nuk na ka lejuar ta zhvillojmë vitin e kaluar, por shprehu besimin që kjo do të kthehet në një rutinë, në një zakon të mirë, të përvitshëm ndoshta, të Federatës Shqiptare të Futbollit. Siç thashë, reagimi ka qenë mjaft pozitiv dhe shoh që edhe specialistë të tjerë, në një farë mënyre, kërkojnë të jenë pjesë në të ardhmen në këto evenimente”, – deklaroi Drejtori i Departamentit Ligjor & Licencimit në FSHF.

Ky ishte një takim i programuar në kuadër të politikave të federatës Shqiptare të Futbollit për shkëmbimin e dijes mes organeve juridike të FSHF dhe atyre të UEFA-s. Në workshop u trajtuan nga lektorët ndërkombëtarë specifikisht disa çështje me natyrë procedurale dhe themelore të arbitrazhit në KAS, pranueshmërisë së padive, ndihmën juridike falas dhe fair-play-n financiar, ndërkohë që të pranishmit kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë ide mes tyre.

× WhatsApp