Veteranët e Shqipërisë & Kosovës rikthehen në fushë, tjetër miqësore në Ditën e Pavarësisë - FSHF

Veteranët e Shqipërisë & Kosovës rikthehen në fushë, tjetër miqësore në Ditën e Pavarësisë

Veteranët e Shqipërisë dhe Kosovës do të rikthehen në fushë për të luajtur një miqësore me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Vëllazërorja mes dy ekipeve që kanë në përbërje ish-futbollistë të famshëm të dy përfaqësueseve, do të luhet më 28 nëntor 2021, ora 11:30 në kompleksin “Olympic Park” në Durrës.

Në traditën e krijuar tashmë prej kohësh, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj vëllazëroreje, që do të luhet në një ditë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

Në listën e lojtarëve kuqezi të ftuar për këtë ndeshje janë emra që kanë bërë histori me fanellën kuqezi e që kanë luajtur me Kombëtaren shqiptare si Blendi Nallbani, Ilir Bozhiqi, Elvis Sina, Geri Çipi, Ervin Fakaj, Hysen Zmijani, Armend Dallku, Luan Pinari, Bajram Fraholli, Ardian Mema, Ilir Alliu, Gilman Lika, Redi Jupi, Roland Iljadhi, Vasil Ruci, Ilir Lame, Endri Vrapi, Fjodor Xhafa, Fatbardh Jera, Agustin Kola, Migen Memelli, ndërsa në stol në rolin e trajnerit do të jetë ish-futbollisti i njohur, Sulejman Mema.

Në fund të ndeshjes do të dorëzohet edhe një trofe simbolik për ekipin fitues. Kjo do jetë miqësorja e tretë për këtë e vit mes veteranëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

E para u zhvillua më 16 shkurt 2021 në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa e dyta u luajt më 23 korrik 2021 po në Prishtinë me rastin e ditës së lindjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.