Uzuni nuk ndalet, shënon golin e 9-të në Hungari me Ferencvaroshin - FSHF

Uzuni nuk ndalet, shënon golin e 9-të në Hungari me Ferencvaroshin

Një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare ka gjetur sot rrugën e rrjetës me klubin e tij. Myrto Uzuni ka shënuar gol në fitoren e thellë të Ferencavrosh 5-2 ndaj Paks në kampionatin elitar hungarez.

Në minutën e 49-të të takimit teksa rezultati ishte i fiksuar në shifrat 1-1, Ferencvaroshi fiton një penallti, që transformohet në gol nga sulmuesi shqiptar. Bëhet fjalë për golin e nëntë në kampionatin hungarez të sulmuesit beratas, që po kalon një sezon mjaft të mirë dhe ka qenë protagonist çdo javë.

Uzuni është aktivizuar në 21 ndeshje, nga të cilat 18 i ka nisur si titullar me klubin hungarez në kampionat dhe ka dhuruar 6 asist.

Po këtë sezon, shqiptari ka shënuar dy gola në fazën eliminatore të Champions League, duke ndihmuar ekipin e tij të kualifikohej për në fazën e grupeve, ku më pas do të realizonte edhe një gol ndaj Juventusit.