UEFA mbledh Sekretarët e Përgjithshëm të federatave anëtare, ja temat që u diskutuan - FSHF

UEFA mbledh Sekretarët e Përgjithshëm të federatave anëtare, ja temat që u diskutuan

UEFA zhvilloi sot një mbledhje me Sekretarët e Përgjithshëm të federatave anëtare për të diskutuar e informuar në lidhje me çështje organizative dhe kompeticionet ndërkombëtare në nivel ekipesh kombëtare dhe klubesh.

Në këtë mbledhje, që u zhvillua përmes video-konferencës dhe ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, u fol në lidhje me zhvillimet e fundit në prag të organizimit të EURO2020. Mbledhja u përshëndet edhe nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

U prezantua ndryshimi i dy qyteteve pritëse të finaleve të këtij turneu, me Dublinin dhe Bilbaon, që zëvendësohen respektivisht me Shën Petersburgun, Londrën dhe Seviljen, si edhe u fol për nivelin e pjesëmarrjes spektatorëve në çdo ndeshje dhe për çdo qytet.

Po ashtu u prezantua formati i ri i skemës financiare për kompeticionet europiane të klubeve, për meshkuj dhe femra, ndërkohë që një nga çështjet më të rëndësishme në rendin e ditës ishte pandemia dhe efekti i saj në futbollin europian.

Pjesëmarrësit në këtë mbledhje u njohën me skanerin e impaktit te COVID-19 dhe sfidat e ardhshme për t’iu rikthyer normalitetit dhe konsoliduar gjendjen financiare të klubeve europiane në këto kohë të vështira.

Ndër të tjera, u diskutua edhe mbi ecurinë e përgatitjeve për organizimin e Kupës së Botës “Katar 2022” dhe në veçanti elementet e respektimit te të drejtave të punës.