UEFA Conference League, nisin trajnimet me vullnetarët e finales - FSHF

UEFA Conference League, nisin trajnimet me vullnetarët e finales

Federata Shqiptare e Futbollit ka siguruar pjesëmarrjen e rreth 400 vullnetarëve të cilët do të angazhohen në finalen e madhe dhe historike të UEFA Conference League që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj në stadiumin “Air Albania”. Prej ditës së sotme, të gjithë këta vullnetarë kanë nisur me trajnimet e para. Në një prononcim të shkurtër për fshf.org, Përgjegjësja e Programit të Vullnetarëve për këtë aktivitet, Edlira Jaupaj shpjegon qëllimin e këtyre trajnimeve ndërsa thekson se numri i aplikuesve për të qenë pjesë e këtij eventi si vullnetar deri më tani ka shkuar në 4050.

Qëllimi i trajnimeve – Nisim ditën e sotme serinë e trajnimit të vullnetarëve. Do të zhvillojmë tre ditë trajnim me grupe të ndryshme dhe arrijnë deri në 5-6 trajnime që do t’i bëjmë gjatë gjithë kësaj jave. Ideja është që duhet të bëjmë një trajnim të përgjithshëm, ku të gjithë vullnetarët do të marrin informacion mbi të gjitha çështjet e ndryshme që do t’i duhen, që nga oraret që duhet të ndjekin, turnetë që kanë, ku do shkojnë përgjatë këtyre ditëve, në çfarë vendesh do të qëndrojnë, security dhe stafin e security, uniformat dhe veshja e tyre si dhe kodi i sjelljes gjatë kësaj periudhe, pasi ka disa kushte dhe rregulla që duhen zbatuar. Për këtë arsye do të zhvillohen edhe këto trajnime.

Interesi nga vullnetarët – Numri i aplikimeve të vullnetarëve deri tani ka arritur deri në 4050. Totali i vullnetarëve që do të angazhohen në këtë finale deri tani është 384, por mund të kemi nevojë edhe për më shumë. Interesi është akoma i lartë dhe e kemi lënë faqen aktive në mënyrë që çdokush që është i interesuar të aplikojë dhe të marrë pjesë në këtë event për të pasur edhe më tepër njerëz në listën e pritjes për zëvendësime që mund të ndodhin gjatë kësaj periudhe që do të kemi edhe trajnime edhe aktivitet.