U-21 / Flasin Cara dhe Çelhaka: “Me çdo kundërshtar do kërkojmë maksimumin” - FSHF

U-21 / Flasin Cara dhe Çelhaka: “Me çdo kundërshtar do kërkojmë maksimumin”

Kombëtarja shqiptare e 21 vjeçarëve vazhdon stërvitjet në grumbullimit 10 ditor që po zhvillohet në Kompleksin Tropikal. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi skuadra është duke punuar intensivisht me dy seanca stërvitore në ditë dhe të gjithë lojtarët e grumbulluar janë nën vëzhgimin e stafit teknik për të përgatitur në mënyrën më të mirë skuadrën përpara eliminatoreve të Euro 2023.

Ditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp përpara mediave Tedi Cara dhe Jurgen Ҫelhaka, dy lojtarët e talentuar të Partizanit dhe Tiranës, të cilët kanë folur për grupin kuqezi, eliminatoret e U-21 si edhe punën që bëhet me të rinjtë.

Sulmuesi i Partizanit, i cili është grumbulluar rregullisht nga Kombëtaret e moshave, nuk e ka fshehur kënaqësinë e pranisë në skuadrën e Bushit.  “Ky grumbullim me Kombëtaren U-21 mendoj se vjen në momentin e duhur për mua sepse kam bërë disa ndeshje të mira me Partizanin ku kam shënuar edhe gola, të shoqëruara me paraqitje të mira. Kjo ftesë më ka ngritur dhe moralin. Shpresoj të jap më të mirën dhe këtu. Grumbullimi i shumë lojtarëve nga Kategoria Superiore është një vlerësim edhe për kampionatin sepse shumë lojtarë janë transferuar nga Superiorja në kampionate jashtë. Grumbullimi me U-21 besoj se i ka dhënë shumë kredite për të bërë këto transferime.

Grupi dhe objektivat e U-21? Ne do të hymë në fushën e lojës për të dhënë maksimumin gjithmonë. Me të gjithë ҫunat jemi shumë shokë. Në Superiore nga kjo grupmoshë ka shumë lojtarë të mirë, që po aktivizohem shumë dhe besoj se Kombëtarja U-21 do të jetë një skuadër e denjë për të përballuar ҫdo kundërshtar.

Shumë të rinj në kampionat? Mendoj se tani ka më shumë vëmëndje tek të rinjtë. E kanë parë dhe drejtuesit se kur i jepet shansi atyre që kanë cilësi, kanë treguar vlerat, janë shitur jashtë dhe klubi ka pasur përfitime financiare. Ja vlen ti japësh dorën të rinjve dhe sa kemi parë deri tani të gjithë e kanë shpërblyer. Ftesa? Kur të vjen një ftesë nga Kombëtarja është një privilegj, gjithmonë e kam ëndërruar dhe kur je këtu gjithmonë e harron atë që ke lënë në nivel klubi. Fokusohesh te ngjyrat kuqezi dhe kërkon të bësh më të mirën këtu”, u shpreh Tedi Cara në prononcimin e tij për mediat.

Jurgen Celhaka është një nga elementët që ishte edhe në edicionin e kaluar pjesë e grupit, duke pasur eksperiencë dhe siguri te skuadra kuqezi ai u shpreh se me ҫdo kundërshtar Shqipëria do të kërkojë tre pikët. “Ndihem shumë mirë që jam këtu. Kur të vjen ftesa nga Kombëtarja është një privilegj shumë i madh të përfaqësosh ngjyrat kuqezi, akoma më shumë kënaqësi është kur vjen në një moment shumë të mirë për mua. Kam marrë minuta pasi kalova një dëmtim të vështirë, vij pas një fitoreje të rëndësishme me skuadrën time ku shënova një gol. Do të jap maksimumin për Kombëtaren. Skuadra jonë gjithmonë është shquar për frymën e grupit, sakrificën që bëjmë në fushë dhe shpirtin e ekipit. Kjo është gjëja që na favorizon më shumë. Djemtë kanë qënë shumë të afërt dhe miq me njëri-tjetrin, duke mos e parë fare se me ҫ’farë ekipi luajmë.

Ku mund të arrijë kjo skuadër? Do ti marrim ndeshjet një nga një, të mos kemi frikë asnjë skuadër. Mendoj se jemi të aftë për tu përballur denjësisht me të gjithë kundërshtarët që kemi në grupin tonë. Anglia është më lart, ndërsa me të gjithë skuadrat e tjera do të zbresim në fushën e lojës për tre pikët”, theksoi në fjalën e tij Ҫelhaka.