U-19 / Shqipëria luan miqësoren e parë ndaj Kosovës - FSHF

U-19 / Shqipëria luan miqësoren e parë ndaj Kosovës

Kombëtarja shqiptare U-19 ka zhvilluar këtë të mërkurē ndeshjen e parë miqësore – vëllazërore me Kosovën U-19.

Sfida e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena” përfundoi në favor të Kosovës, të cilët fituan me rezultatin minimal 0-1.

Kuqezinjtë zhvilluan një lojë mjaft të mirë, duke krijuar disa raste për shënim, por nuk arritën të finalizonin, duke fiksuar rezultatin në favor të Kosovës. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Shala në pjesën e dytë, i cili goditi saktë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një 11 metërshi të fituar nga Kosova.

Tekniku shqiptar i nën 19 vjeçarëve hodhi në fushë këtë formacion: Weiper, Papa, Bytyqi, Krasniqi, Zabeli, Frroku, Alivoda, Bibo, Arapi, Janaqi, Ahmetaj

Kjo nuk ishte ndeshja e parë miqësore që përfaqësuesja shqiptare ka zhvilluar nën drejtimin e Cungut, teksa shkodrani ka pasur mundësi të shohë grupin në disa seleksionime, grumbullime e miqësore, pavarësisht se jo i plotë për shkak të kufizimeve nga pandemia covid-19.

Ky test miqësor i shërbeu trajnerit kuqezi të shikojë gjendjen e skuadrës dhe lojtarët e grumbulluar që prej 13 qershorit në kompleksin “Tropikal”.

Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore ndaj Kosovës U-19 ditën e premte, më 18 qershor, duke nisur nga ora 10:00 në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan.