U-19/ Shqipëria fiton bindshëm ndaj Kosovës - FSHF

U-19/ Shqipëria fiton bindshëm ndaj Kosovës

Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve ka zhvilluar këtë të premte ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar ndaj Kosovës U-19.

Sfida e luajtur paraditen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena” ka përfunduar në favor të kuqezinjve, me rezultatin final 3-0.

Ekipi ynë zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, me një pjesë të parë të dominuar totalisht nga tanët, ku kuqezinjtë shënuan dy gola.

Djemtë e drejtuar nga tekniku Armando Cungu tregohen të rrezikshëm në disa raste që në minutat e para, teksa në minutën e 19-të, shtylla i mohoi golin Klevi Qefalisë, i cili godet mirë një top, që kalon ngjitur me shtyllën, por pa përfunduar në rrjetë.

7 minuta më vonë, gjyqtari akordon një penallti për kuqezinjtë, pas një prekjeje me dorë nga ana e lojtarëve të Kosovës. Kapiteni Henri Nerguti merr përsipër të godasë penalltinë, duke e dërguar topin saktë në rrjetë dhe duke i dhënë avantazhin ekipit tonë.

3 minuta para fundit të kohës së rregullt, Qefalija merr një top të bukur nga mesfusha, duke e shfrytëzuar më së miri këtë herë dhe duke shënuar golin e dytë për Shqipërinë.

Në pjesën e dytë të lojës, trajneri Cungu bën disa zëvendësime, duke freskuar skuadrën.

Në minutën e 57-të, Flori Spahija ndëshkohet me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e Cungut me 10 lojtarë. Megjithatë, edhe në këtë pjesë, kuqezinjtë tregohen dominantë, teksa në minutën e 77-të, Janaqi shënon golin e tretë për skuadrën, duke vulosur kështu rezultaiin final në 3-0.

Kjo ishte miqësorja e dytë ndaj Kosovës U-19, teksa në miqësoren e parë kuqezinjtë u mundën me rezultatin minimal 0-1.

Kombëtarja U-19 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime dhe ndeshje miqësore nga fillimi i këtij viti deri më tani nën drejtimin e Armando Cungut, që i kanë shërbyer si teste për të parë gjendjen e skuadrës dhe lojtarëve, pavarësisht se për shkak të pandemisë covid-19, ekipi nuk ka qenë gjithmonë i plotë.

Shqipëri U-19 – Kosovë U-19 3-0

Formacioni i Shqipërisë U-19: Weiper (Simoni 46′ – (Kozi 82′)), Greca (Pengu 82′), Betezelis (Bytyqi 65′), Krasniqi, Zabeli (Spahija 46′), Nerguti, Frroku (Pjeshka 46′), Qefalija (Bibo 65′), Veliqi, Janaqi, Ahmetaj (Papa 46′).

Trajner: Armando Cungu