U-17 për femra/ Flasin Coka & Tori: Kënaqësi që jemi pjesë e grupit kuqezi - FSHF

U-17 për femra/ Flasin Coka & Tori: Kënaqësi që jemi pjesë e grupit kuqezi

Shqipëria U-17 për femra vazhdon stërvitjet intensive që prej ditës së mërkurë për dy ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2021/2022 ndaj Malit të Zi dhe Azerbajxhanit. Të treja këto skuadra janë shortuar në grupin B, pjesë e Ligës B dhe do të tentojnë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A.

Nën drejtimin e Agustin Kolës, vajzat kuqezi gjenden të grumbulluara në kompleksin “Tropikal”, ku edhe zhvillojnë seancat stërvitore. Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Malit të Zi, më 24 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” ndërsa më 30 shtator do të luajnë kundër Azerbajxhanit, po në këtë stadium. Në prag të këtyre dy sfidave, fshf.org ka intervistuar dy nga futbollistet e ekipit, Jehona Cokën dhe Rigersa Torin, të cilat shprehen të emocionuara që janë pjesë e skuadrës për këto ndeshje të rëndësishme.

Coka, duke parë edhe atmosferën në skuadër që është mjaft e mirë, shprehet optimiste se ekipi do t’ia dalë të marrë rezultate pozitive në këto dy sfida, ndërsa shpreson të veshë edhe fanellën e ekipit A së shpejti.  “Jam Jehona Coka, lojtare e ekipit Kombëtar U-17. Nuk është hera ime e parë që grumbullohem me ekipin Kombëtar. Jam e emocionuar dhe pa dyshim e lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Është gjithmonë kënaqësi të përfaqësosh këto ngjyra. Atmosfera e grupit?Grupi është i ri, por ky nuk është një problem për ne sepse gocat të gjitha po bashkëpunojnë që në momentin që kemi nisur stërvitjen. Grupi B? Jemi shumë optimiste për ndeshjet që na presin dhe besoj që do marrim rezultate pozitive. Ekipet kundërshtare janë të forta por ne synojmë të marrim 6 pikët, të kryesojmë renditjen dhe të dalim të parat në grupin B. Objektivat e Cokës –  Pavarësisht se me kë ekip luaj, synimi im është titulli kampion, ndërsa sa i përkët pjesës së ekipit Kombëtar dua të përfaqësoj ngjyrat kuqezi me fanellën e ekipit A.

Lojtarja tjetër e skuadrës kuqezi, Rigersa Tori thekson se objektivat e skuadrës janë të marrin 6 pikët dhe të kryesojnë grupin, pavarësisht kundërshtarëve që do të përballen.  “Jam Rigersa Tori, pjesë e ekipit të Kinostudios. Nuk është hera ime e parë që grumbullohem me Kombëtaren shqiptare, por është gjithmonë kënaqësi të luash për këto ngjyra. Objekivat e grupit? Nuk jemi më grupi i vjetshëm, jemi një grup relativisht i ri. Stërvitjet i kemi nisur që prej ditës së mërkurë dhe po bashkëpunojmë fort për të arritur objektivat tona në këto dy ndeshje, që janë të marrim 6 pikët e mundshme dhe të jemi në krye të grupit B. Kundërshtaret nuk janë të lehtë, por mendoj se do ia dalim. Synimet për të ardhmen? Objektivat në aspektin personal janë që të kem një titull kampion në kampionatin shqiptar dhe pse jo, të mos jem edhe pjesë e Kombëtares A së shpejti – përfundon Tori.