U-17/ Fukaj & Haxhari: Kënaqësi të veshësh fanellën kuqezi    - FSHF

U-17/ Fukaj & Haxhari: Kënaqësi të veshësh fanellën kuqezi   

Kombëtarja shqiptare U-17, e grumbulluar që prej ditës së diel në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës po stërvitet intensivisht për dy sfidat ndaj Kosovës U-17 dhe ekipit Kombëtar U-18.

Në prag të sfidës së parë kundër Kosovës, fshf.org ka intervistuar dy nga futbollistët e ekipit të drejtuar nga Ervin Bulku, Elton Fukaj dhe Klevis Haxhari, të cilët nuk i fshehin emocionet dhe kënaqësinë që janë pjesë e këtij grumbullimi me Kombëtaren kuqezi.

Elton Fikaj, që luan në radhët e Panathinaikosit në Greqi shprehet se kjo skuadër mund të shkojë lart, pasi ka në përbërje lojtarë të fortë.  “Jam shumë i lumtur që jam grumbulluar me Kombëtaren U-17. Familja dhe shokët më kanë thënë fjalët më të mira, më kanë uruar. Me çunat jemi afruar njëri më tjetrin dhe besoj se do shkojmë shumë mirë. Stërvitja po shkon shumë mirë dhe besoj se me shokët do shkojmë shumë lart. Duket një grup i mirë, lojtarët janë të fortë dhe besoj se mund të marrim rezultate pasi jemi një skuadër e fortë”.

Klevis Haxhari flet me emocione dhe krenari për faktin se do të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, , ndërsa shpreson që ndaj Kosovës të marrin një rezultat pozitiv. Dëshira e tij më e madhe është që një ditë të veshë fanellën e Kombëtares A.  “Jam shumë i gëzuar, pasi jam shqiptar, e gjithë familja ime është shqiptare dhe të përfaqësoj Shqipërinë është gjë e madhe për mua dhe familjen time. Jemi një grup i fortë dhe kur të luajmë kundër Kosovës, të bëjmë një ndeshje të mirë dhe ta fitojmë atë ndeshje. Dëshira ime është të vesh fanellën me Kombëtaren A, por duhet të punoj”- përfundon Haxhari në fjalën e tij për fshf.org.