Turneu Pirin Women’s Cup për femra/ Kombëtarja U-19 luan ndeshjen e parë me Maqedoninë e Veriut - FSHF

Turneu Pirin Women’s Cup për femra/ Kombëtarja U-19 luan ndeshjen e parë me Maqedoninë e Veriut

Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçareve të femrave ka luajtur ditën e martë ndeshjen e parë të planifikuar ndaj Maqedonisë së Veriut, në kuadër të turneut “Pirin Women’s Cup” që po zhvillohet në Bullgari.

Në sfidën e zhvilluar në Bansko të Bullgarisë, ekipi i drejtuar nga tekniku Armir Grima u mund me rezultatin minimal 0-1, në një ndeshje mjaft të mirë të zhvilluar nga vajzat kuqezi, me mjaft raste të krijuara për gol, por që nuk arritën dot të finalizonin në portë.

Trajneri Grima e nisi lojën me këtë formacion: Spaho (c), Syla, Kodra, Mema, Coka, Qosja, Borci, Ferataj, Blinishta, Iliadhi, Tanushi.

Ditën e premte, më 11 qershor, Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e dytë dhe të fundit në këtë turne ndaj vendit pritës që është Bullgaria.