Turneu i i përfaqësueseve rajonale/ Durrësi – Korça, finalja e grupmoshës U-15 - FSHF

Turneu i i përfaqësueseve rajonale/ Durrësi – Korça, finalja e grupmoshës U-15

Turneu i përfaqësueseve rajonale për moshat U-15, U-14 dhe U-13 ka nisur të luhet që nga dita e hënë. Ditën e djeshme dhe ditën e sotme janë zhvilluar ndeshjet për grupmoshën nën 15 vjeç në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në Fier.

Në Kamëz, Tirana barazoi 1-1 me Lezhën në kohën e rregullt, teksa skuadrat iu drejtuan 11 metërshave, nga ku lezhjanët u treguan më të saktë, duke fituar 1-3. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, Durrësi mundi Shkodrën me rezultatin 2-1.

Sipas rregullores së vendosur, dy ekipet fituese u përballën me njëra-tjetrën, për të përcaktuar ekipin e parë që do të shkojë në finale dhe do të përballet me ekipin fitues që shpallet nga ndeshjet që luhen në Fier. Në finale u përballën Durrësi me Lezhën, ku durrsakët fituan me rezultatin 3-1, ndërsa në vend të tretë u rendit Tirana pasi fitoi me poker golash ndaj Shkodrës.

Ndërkaq, ditën e sotme janë zhvilluar ndeshjet e tjera të kësaj grupmoshe në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në Fier. Korça mundi Gjirokastrën me shifrat 3-0, pas një ndeshje të dominuar totalisht nga korçarët. Në ndeshjen tjetër, Fieri fitoi me rezultatin e ngushtë kundër Elbasanit, 2-1. Korça do të përballet në finalen e madhe të kësaj grupmoshe me Durrësin, pasi mundi në finale ekipin e Fierit. Ndeshja përfundoi në barazimin 1-1, teksa nga penalltitë u treguan më të saktë korçarët, duke fituar 5-3. Në ndeshjen tjetër, Elbasani mundi Gjirokastrën 4-0, duke u renditur të tretët në këtë grup.

Finalja e kësaj grupmoshe do të zhvillohet me 30 qershor në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur nga ora 18:00.

Ky turne, që zhvillohet çdo vit, ka si synim evidentimin e talenteve të reja që janë pjesë e kampionateve rajonale të organizuara nga FSHF-ja si dhe vëzhgimin e tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare në FSHF.