Triumfi i dyfishtë ndaj Maltës, Gecaj & Avdullari: Fituam me meritë, të kënaqur me paraqitjen tonë - FSHF

Triumfi i dyfishtë ndaj Maltës, Gecaj & Avdullari: Fituam me meritë, të kënaqur me paraqitjen tonë

Shqipëria U-17 mori fitoren e dytë ndaj Maltës pasditen e djeshme në ndeshjen e zhvilluar në ‘Shtëpinë e Futbollit’. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari fituan me shifrat 2-1, teksa të dy golat u realizuan nga Oresti Rifa. Një paraqitje mjaft pozitive e djemve kuqezi, të cilët ia dolën të marrin dy fitore radhazi në po kaq ndeshje të luajtura më 18 dhe 20 shtator.

Dy titullarët e skuadrës kuqezi, Kris Gecaj dhe Davide Avdullari rrëfyen emocionet pas fitores së dytë dje ndaj Maltës, ndërsa u shprehën shumë të kënaqur për paraqitjen që bënë si skuadër.

Gecaj, i cili luan në pozicionin e mbrojtësit me të rinjtë e Juventusit nënvizoi për fshf.org se kjo fitore ka shumë rëndësi për skuadrëm, pasi rrit moralin e ekipit.

“Më është dukur shumë mirë skuadra. Jam shumë i kënaqur për fitoren që bëmë sot. Skuadra ka shumë cilësi. Jemi përgatitur shumë mirë këtë javë dhe për Europianin që kemi në nëntor. Si ndihem sot? – Shumë mirë, kemi fituar. Kanë rëndësi këto fitore sepse na japin kurajo për të luajtur. Dua të vazhdoj të luaj, do stërvitem shumë që të luaj prapë me Kombëtaren” – tha Kris Gecaj për fshf.org.

Edhe Davide Avdullari nënvizoi se Kombëtarja fitoi me meritë dje, ndërsa shpalosi edhe objektivat e së ardhmes. “Kemi luajtur shumë mirë në këto dy ndeshje. Bëmë dy gola në ndeshjen ndaj Maltës dhe pas dy golave e ulëm pak ritmin. Në pjesën e dytë kemi luajtur mirë dhe kemi fituar me meritë. Jemi një grup shumë i fortë dhe kemi dëshirë për të fituar. Stafi është shumë i mirë, na ndihmon për gjëra që nuk i dimë. Kemi shumë punë përpara për t’u kualifikuar në Europian. Objektivi im është të luaj për ekipin e parë të Veronës dhe me ekipin A të Shqipërisë” – tha Avdullari për fshf.org.