Tjetër kurs formimi për fizioterapistët shqiptarë në FSHF. Nisin regjistrimet! - FSHF

Tjetër kurs formimi për fizioterapistët shqiptarë në FSHF. Nisin regjistrimet!

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një tjetër kurs për formimin e fizioterapistëve shqiptarë në muajin mars. Në datat 17-19 mars në ambientet e FSHF-së do të zhvillohet kursi i radhës për mjekësinë sportive për përdorimin e “Kinesiology tape” dhe lektorë do të jenë drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina dhe Ilvi Begolli, koordinator i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF. Edhe ky kurs do të jetë i ndarë në dy pjesë: pjesë teorike dhe më pas do të vijojë me pjesën praktike.

Në pjesën teorike, do të shpjegohet historia dhe filozofia e “Kinesiology tape”, si edhe principet fiziologjike, karakteristikat, rregullat e aplikimit, provat e prerjes dhe manualiteti i “Kinesiology tape”.

Ndërsa pjesa praktike do të përfshijë vënien në praktikë të përdorimit të “Kinesiology tape”, prova praktike në pjesë të ndryshme muskulare dhe në fund do të ketë edhe diskutime.

Kursi do të zhvillohet i ndarë në dy faza kohore. Kursi do të jetë i hapur për fizioterapistët e ekipeve kombëtare (meshkuj, femra), Kategorisë Superiore dhe Kategorive më poshtë, studentët, mjekët, fizioterapistët dhe për të gjithë ata që duan të dinë për aplikimin e “Kinesiology tape”.

Në fund të kursit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë nga FSHF.

Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:

E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al

Nr. tel: +355 68 404 0033