Teuta shpallet kampione e Shqipërisë për edicionin 2020-2021 - FSHF

Teuta shpallet kampione e Shqipërisë për edicionin 2020-2021

Teuta është shpallur kampione e Kategorisë Superiore për edicionin 2020-2021 në javën e fundit të kampionatit!

Skuadra durrsake fitoi bindshëm ndaj Apolonisë 6-1 sot në “Niko Dovana”, duke e mbyllur sezonin në vendin e parë me 66 pikë të grumbulluara pas 36 javësh të luajtura.

Golat për durrsakët u shënuan nga Bregu (i cili bëri tregolësh në minutat 16’, 50’, 65’), L. Vila (27’), Arapi (77’) dhe Plaku (90’+1’), kurse goli i vetëm për fierakët u realizua nga Mihana (34’).

Edhe Vllaznia fitoi 2-0 ndaj Laçit në stadiumin “Loro Boriçi”, por nuk i mjaftoi për të siguruar kreun, ndërkohë që Partizani, një tjetër skuadër që ishte në lojë për titullin fitoi 2-4 në transfertën e Ballshit ndaj Bylisit.

Pas përfundimit të ndeshjes në Durrës është zhvilluar edhe ceremonia e shpalljes së Teutës kampione e Shqipërisë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, të cilët i dorëzuan medaljet dhe trofeun e kampiones skuadrës durrsake, që nisi festën për këtë arritje historike për klubin.

Ky është titulli i dytë kampion në histori për Teutën, teksa të parin e ka fituar në sezonin 1993–94.