Sunday League Albania përcakton gjysmëfinalistet, njihuni me çiftet dhe datat e ndeshjeve - FSHF

Sunday League Albania përcakton gjysmëfinalistet, njihuni me çiftet dhe datat e ndeshjeve

Sunday League Albania, një kompeticion i futbollit amator që luhet me 9 lojtarë në skuadër, pjesë e Federatës Shqiptare të Futbollit, ka arritur në pikën kulmore, duke përcaktuar skuadrat gjysmëfinaliste pas ndeshjeve çerekfinale që u luajtën këtë javë.

Ndeshjet çerekfinale, të zhvilluara në kompleksin “Football Republic”, ku zhvillohet edhe i gjithë kampionati, kanë dhuruar emocione, gola dhe garë sportive deri në sekondat e fundit, me skuadra që arritën gjysmëfinalet edhe pas goditjes së 11 metërshave.

Ndeshja e parë ishte ajo ndërmjet Futura Dent dhe Friend Team, me të parët që triumfuan 2-0 falë golave të Dahriut dhe Ndregjonit në minutat 45’ dhe 50-të.

Gjysmëfinalistja e dytë doli nga ҫifti Nova-Prestige, me këta të fundit që triumfuan pastër 3-0 me gola të Cakrit, Shimës dhe Kurpalit.

Roamel-Sind Al ishte ndeshja e tretë çerekfinale dhe ndeshje që dhuroi më shumë gola në fazë, duke parë që koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2. Roamel kaluan të parët në avantazh me Ҫaushajn në minutën e 10-të, por u përmbysën nga Sind Al falë dy golave të Torrës dhe Hoxhës. Kur gjithҫka dukej se po përfundonte, Roamel reagon dhe gjen barazimin me Ҫaushajn përsëri, duke i dërguar skuadrat te goditjet e 11 metërshave. Roamel u tregua më e saktë dhe triumfoi 5-1, duke kaluar në gjysëm finale. Ndeshja e katërt dhe e fundit ҫerekfinale ishte ajo ndërmjet Bio Ju dhe ATS, me të dy skuadrat që shikoheshin si pretende për triumfin final. Ndeshja ishte shumë e luftuar dhe të dyja skuadrat kërkuan me insistim golin, i cili u gjet nga ATS në minutën e 50-të me Fatjon Bytyҫin, që kaloi ATS në gjysmëfinale.

Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen në datë 17 dhe 18 maj 2021, me ҫiftin Roamel-ATS që hapin fazën gjysmëfinale në orën 20:45 dhe në datë 18 maj do të zhvillohen ndeshja e dytë ndërmjet Prestige dhe Futura Dent, po në orën 20:45.