Studentë të ndryshëm të degës së sportit të Universiteti “Marin Barleti” dhe të Universiteti i Sporteve të Tiranës kanë zhvilluar gjatë këtyre ditëve vizita në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ku është hapur mini-ekspozita filatelike në bashkëpunim mes Federata Shqiptare e Futbollit dhe Posta Shqiptare.
Vizitat e studentëve u fokusua në njohjen nga afër me seksionet e ekspozitës, e cila përfshin pulla shqiptare me tematikë sportive ndër vite, bocete të reja dhe historike, panelin special “Kuq e Zi – Simboli që udhëton në Europë”, si dhe stenda të filatelistëve me koleksione sportive me dimension edukativ. Përmes kësaj eksperience, studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë ndërthurjen mes sportit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Gjithashtu, me këtë rast ata vizituan edhe muzeun e futbollit për t’u njohur më shumë me historikun e futbollit shqiptar dhe zhvillimet e mëdha që ka pësuar loja më e bukur në botë në vendin tonë përmes dekadash.
Mini-ekspozita është hapur në kuadër të promovimit zyrtar të pullave postare “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”, një iniciativë që synon të vërë në pah vlerat që përfaqëson pulla postare shqiptare si simbol i përfaqësimit kombëtar në arenën europiane.
Vizitat e studentëve përbëjnë një dimension të rëndësishëm edukativ të kësaj ekspozite, duke i afruar brezat e rinj me historinë sportive të vendit dhe me rolin që diplomacia kulturore luan në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Europë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe përgjatë javës, ndërsa FSHF dhe Posta Shqiptare do të vijojnë të mirëpresin nxënës, studentë dhe dashamirës të sportit e filatelisë për ta vizituar atë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.



















