Stesina: Kursi “UEFA Football Doctor Education”, një sukses. Gati projekti me UST - FSHF

Stesina: Kursi “UEFA Football Doctor Education”, një sukses. Gati projekti me UST

Prej kohësh Federata Shqiptare e Futbollit është e angazhuar në formimin profesional të stafeve teknike të klubeve, ku përveç kurseve të trajnerëve, po organizon kurse të ndryshme formimi për të gjitha profesionet e reja që lidhen me botën e futbollit.

Një nga nga kurset më interesante të momentit është “UEFA Football Doctor Education”, që mbulon aspektet themelore të mjekësisë sportive të futbollit, duke ndjekur udhëzimet e kërkuara nga UEFA. Ky kurs udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF dhe është mjaft i vlefshëm për doktorët sportivë dhe për fizioterapistët.

Drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina, në një prononcim për Fshf.org ka folur për organizimin e këtij kursi, projektet e federatës për mjekësinë sportive dhe të gjitha temat që janë trajtuar aty, teksa ka zbuluar se interesi ka qenë shumë i lartë.

“Ky kurs është organizuar për të promovuar projektin e edukimit për mjekësinë sportive në bashkëpunim me UEFA-n. Është një projekt multi-disiplinor ku përveç mjekësisë sportive, fizioterapisë kemi arritur të përfshijmë edhe një pjesë neurologjike për traumat cervikale, që janë shumë të rëndësishme në futboll. Një pjesë kardiologjie mbi parandalimin e fataliteteve në fushën e lojës, pjesë e të ushqyerit, që bëhet thelbësore për sportistin si edhe një pjesë psikologjike, një fushë e re që po trajtohet tashmë edhe në futbollin profesionist. Jemi shumë të kënaqur për këtë kurs, pasi kemi pasur më shumë se 90 aplikime me 50 pjesëmarrës, të cilët kanë marrë pjesë për tre ditë në kursin tonë”, – thotë Stesina, duke shtuar se qëllimi është të afrohen sa më shumë profesionistë në fushën e mjekësisë në stafet e klubeve.

“Mjekësia sportive është akoma në fillimet e saj në Shqipëri. Ne jemi shumë të kënaqur, sepse me këto kurse po rriten gjithmonë e më shumë pjesëmarrësit, ata të cilët janë të interesuar për t’u marrë me mjekësi sportive dhe fizioterapi. Në kursin e parë ne patëm 20 pjesëmarrës, ndërsa tani kemi shumë më shumë pjesëmarrës. Kjo do të thotë që edhe fushata jonë po funksionon dhe jam i bindur se do të përmirësohemi edhe më tej. Po përpiqemi të afrojmë sa më shumë mjekë dhe fizioterapistë të rinj, në mënyrë që ata të angazhohen nëpër klube”, – theksoi ai.

Ndërkaq, Stesina flet për edhe për planet e këtij departamenti dhe të FSHF-së, që synon një bashkëpunim me Universitetin e Sporteve të Tiranës për të realizuar një master për fizioterapinë dhe mjekësinë sportive. Gjithashtu, ai vlerësonë edhe partneritetin me specialistë italianë të fushës në organizimin e kurseve.

“Plani për të ardhmen është që të mund të krijojmë së bashku me Universitetin e Sporteve një master për fizioterapinë dhe mjekësinë sportive, pra të mund të realizojmë 8 takime në vit për të dhënë më pas një diplomë apo certifikatë që të njihet nga universiteti, që këto kurse dhe ky investim të bëhen edhe më të rëndësishme dhe më të bukura. Federata Shqiptare e Futbollit synon të promovojë mjekësinë sportive dhe kjo është detyra jonë. Jemi shumë të kënaqur për atë që po ndërtojmë. Një gjë tjetër e rëndësishme, është fakti se edhe falë ndihmës së Ilvi Begollit, kemi krijuar një kurs ku kemi bërë bashkë profesorë të njohur italianë, të cilët punojnë me klube profesioniste, ashtu si edhe profesorë shqiptarë. Ky bashkëpunim mes italianëve dhe shqiptarëve në këtë fushë është e rëndësishëm, sepse do të thotë që po punohet mirë bashkë dhe secili synon të integrohet dhe të sjellë eksperiencën e vet”, deklaroi ndër të tjera Gianluca Stesina.