Shqipëria U-17 zyrtarizon dy ndeshje me Kosovën, ja datat e ndeshjeve - FSHF

Shqipëria U-17 zyrtarizon dy ndeshje me Kosovën, ja datat e ndeshjeve

Kombëtarja shqiptare U-17, e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Kosovës, në muajin shtator, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian që do të zhvillohet në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut.

Zyra e Shtypit në FSHF bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve, që do të luhen në Kosovë. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 22 shtator, ndërsa sfida e dytë vëllazërore do të luhet më 24 shtator.

Këto dy miqësore do t’i shërbejnë kuqezinjve të Bulkut për të harmonizuar më tepër grupin si dhe tekniku shqiptar do të ketë mundësi të shohë skuadrën dhe të qartësojë idetë mbi grupin përfundimtar që do të marrë me vete në Irlandën e Veriut, në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2022, ku kuqezinjtë janë shortuar në grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Bulku ka zhvilluar disa seleksionime dhe grumbullime me kuqezinjtë deri më tani, si dhe ka zhvilluar disa ndeshje miqësore. Së fundmi, Shqipëria U-17 mori pjesë në turneun “Torneo delle Nazioni” që u zhvillua në Itali.