Shqipëria U-17 përgatitet ndaj Luksemburgut, vajzat kuqezi: Do ta kemi të lehtë fitoren me këtë ekip, duam tifozë në ‘Air Albania’ - FSHF

Shqipëria U-17 përgatitet ndaj Luksemburgut, vajzat kuqezi: Do ta kemi të lehtë fitoren me këtë ekip, duam tifozë në ‘Air Albania’

Shqipëria U-17 për vajza do të zhvillojë ditën e nesërme takimin e parë kundër Luksemburgut, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Prej ditës së hënë, vajzat kuqezi nën drejtimin e trajnerit Agustin Kola janë grumbulluar në Durrës, ku kanë zhvilluar përgatitjet për dy sfidat e grupit B4. Pjesa më e madhe e futbollisteve të ftuara për këto ndeshje ishin edhe pjesë e grumbullimit me ekipin U-16 gjatë javës së kaluar.

Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, për mikrofonin e fshf.org, dy nga lojtaret e Kombëtares shpalosën synimin e vetëm që kanë për ndeshjen e parë kundër Luksemburgut. Era Methoxha dhe Gelda Kadiolli kërkojnë të marrin vetëm 3 pikët dhe t’i nisin sa më mbarë këto kualifikuese.

Methoxha, e cila mban edhe shiritin e kapitenes së ekipit u shpreh për fshf.org se është shumë e lumtur që rikthehet të luajë me Shqipërinë, ndërsa nënvizon se skuadra do të futet në fushë vetëm për të marrë fitore. Ajo ka edhe një thirrje për të gjithë tifozët shqiptarë. ‘Jam shumë e lumtur që rikthehem sërish te Kombëtarja dhe që do të përfaqësoj Shqipërinë në këto sfida kundër Luksemburgut dhe Islandës. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, po stërvitemi rregullisht dhe synimi ynë është që ne t’i fitojmë të dyja ndeshjet.

Sfida ndaj Luksemburgut? Nesër do mundohemi që të dalim vetëm me fitore nga fusha dhe presim tifozët që të na mbështesin në stadiumin ‘Air Albania’.

Sakaq, Gelda Kadiolli nuk ngurron ta shprehë hapur kënaqësinë që i jep veshja e fanellës kuqezi dhe ftesa nga stafi i ekipit kombëtar U-17. Ndër të tjera, ajo tregon se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe bën edhe një thirrje për tifozët që të mbushin shkallët e stadiumit ‘Air Albania’ në mbështetje të ekipit shqiptar.

“Jam shumë e lumtur që kam marrë sërish një ftesë. Isha edhe në grumbullimin e mëparshëm me ekipin kombëtar u-16. Kemi një grup cilësor, vajzat janë shumë të mira, shumë mikpritëse edhe për ne që ishim të reja në këtë grumbullim. Atmosfera është shumë e mirë, vajzat janë shumë të qeshura, jemi njëlloj, si në hotel, ashtu edhe në fushë.

Thirrja për tifozët – Presim shumë tifozë nesër në ‘Air Albania’ për një atmosferë më të mirë. Na ndihmojnë edhe neve që të marrim zemër. Kemi synim të fitojmë dhe të dhurojmë një performancë të bukur. Nëse ne do të bëjmë një lojë të mirë, me pasa, atëherë vjen vetë goli.

Ndeshja kundër Luksemburgut – Kam luajtur kundër ekipit të Luksemburgut kur kam qenë pjesë e ekipit kombëtar U-15. I di edhe lojtaret, kam folur edhe me vajzat. Shpresoj që me këtë ekip që kemi, do ta kemi shumë të lehtë edhe fitoren”- tha Gelda Kadiolli.