Shqipëria U-17 për femra/ Maxhalaku & Kodra: Marrim 6 pikët dhe kryesojmë grupin B - FSHF

Shqipëria U-17 për femra/ Maxhalaku & Kodra: Marrim 6 pikët dhe kryesojmë grupin B

Kombëtarja shqiptare e femrave për grupmoshën U-17 ka nisur që prej 15 shtatorit grumbullimin në prag të ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2021/2022. Ekipi i drejtuar nga Agustin Kola po stërvitet intensivisht në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Vajzat kuqezi janë shortuar në grupin B, pjesë e Ligës B së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin dhe do të tentojnë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A.

Në prag të këtyre sfidave që do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, në stadiumin “Elbasan Arena”, pasi UEFA i ka besuar sërish një tjetër organizim ndeshjesh me nivel europian Federatës së Futbollit, kanë folur për fshf.org dy lojtaret e ekipit Rea Maxhalaku dhe Arlinda Kodra.

Maxhalaku, edhe pse nuk kjo nuk është hera e parë që vesh ngjyrat kuqezi, sërish ftesa nga Kombëtarja mbart emocione, teksa shprehet se skuadra ka si synim të fitojnë këto dy ndeshje dhe të marrin 6 pikët.  “Jam Rea Maxhalaku. Sigurisht që ka emocion, sepse po vesh fanellën kuqezi. Ky nuk është grumbullimi im i parë me Kombëtaren U-17. Ftesa nga Kombëtarja? – Normalisht që isha e lumtur, pasi pikësynimi i parë i një futbollisti është të veshë ngjyrat kuqezi dhe e kam pritur me padurim këtë ftesë nga Kombëtarja. Ndeshjet ndaj Malit të Zi dhe Azerbajxhanit? Pritshmëritë tona janë të marrim 6 pikët dhe të dalim me fitore. Malin e Zi e njohim si ekip, pasi jemi ndeshur edhe më parë kurse Azerbajxhani, është hera e parë. Kështu që do të përpiqemi të marrim ato 6 pikë dhe të fitojmë. Gjendja e skuadrës? Atmosfera është shumë e mirë, stafi drejtues na ka akomoduar siç duhet. Vajzat i shoh të lumtura, kanë pritshmëri për fitore dhe ndihemi shumë mirë. Objektivat personale?Në aspektin personal, si lojtare e Tiranës që jam tani, pres që të marrim kampionatin. Ëndrra ime më e madhe është që të vesh fanellën e Kombëtares së madhe të femrave dhe të përfaqësoj kombin tim.

Gjithashtu, edhe Arlinda Kodra, në fjalën e saj për fshf.org nuk e fsheh emocionin që është pjesë e këtij grumbullimi, ndërsa thekson se objektivi i Kombëtares në këto dy ndeshje është të kryesojë grupin B dhe të marrë dy fitore në këto dy sfida. Kodra flet edhe për ëndrrat në aspektin personal, ku shpreson të jetë së shpejti pjesë e Kombëtares A. “Unë jam Arlinda Kodra, lojtare e Vllaznisë. Kjo është hera ime e dytë që grumbullohem me Kombëtaren. Jam shumë e emocionuar, pasi të jesh e grumbulluar me ekipin Kombëtar është një kënaqësi shumë e madhe. Atmosfera në skuadër? Në grup atmosfera është shumë e mirë dhe me vajzat jemi shumë të lidhura. Kjo besoj do të na ndihmojë edhe për ndeshjet e ardhshme. Pritshmëritë në këto sfida? – Për këto dy ndeshje, objektivat janë të marrim 6 pikët dhe të kryesojmë në grupin B. dy kundërshtarët që ne do të përballemi nuk janë të lehtë por besoj se ne do ia dalim. Ëndrra ime? – Në aspektin personal synoj që me ekipin e Vllaznisë të shpallemi sërish kampion dhe të arrij sa më shpejt në Kombëtaren A sepse është një ëndërr e imja.