Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në kualifikueset e “Euro 2024”. Kuqezinjtë triumfuan 2-0 ndaj skuadrës së Moldavisë në “Air Albania” dhe tani renditen në vendin e tretë me tre pikë në grupin E, pas Polonisë dhe Çekisë.
Skuadra jonë e nisi ndeshjen në sulm, me synimin e vetëm për të marrë pikët maksimale. Në pjesën e parë traversa ndali sulmuesit Sokol Cikalleshi, ndërsa të rrezikshëm nga distanca ishin edhe Nedim Bajrami dhe Ylber Ramadani.
Ndaj një Moldavie të vendosur mirë mbrapa, Shqipëria nuk shënoi dot në pjesën e parë që përfundoi 0-0. E dyta nisi vrullshëm për Kombëtaren tonë, që ia doli ta zhbllokonte ndeshjen në minutën e 52-të me një goditje të fortë nga distanca e Jasir Asanit.
Stadiumi i mbushur plotë ushtoi në brohoritje, por duhej edhe goli i qetësisë. Nedim Bajrami në minutën e 76-të ndëshkoi për të dytën herë skuadrën e Moldavisë dhe hipotekoi fitoren e Kombëtares sonë.
Tashmë Shqipëria do të fokusohet te ndeshja e radhës kualifikuese. Kuqezinjtë do të nisen të dielën në Ishujt Faroe, për të zhvilluar takimin e tretë të kualifikueseve të Euro 2024. Kjo sfidë është programuar më datë 20 qershor, prej orës 20:45.

















