Shqipëria merr një fitore të madhe ndaj Hungarisë! Vendos goli i Brojës - FSHF

Shqipëria merr një fitore të madhe ndaj Hungarisë! Vendos goli i Brojës

Kombëtarja shqiptare ka arritur të mundë Hungarinë me rezultatin 1-0 të dielën në “Elbasan Arena” falë golit të Armando Brojës, duke mbajtur gjallë shpresat për të arritur në vendin e dytë të grupit në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.

Trajneri i kuqezinjve Edy Reja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Doka, Trashi, Abrashi, Gjasula, Bajrami, Uzuni, Balaj. Shqipëria e nisi mirë takimin, duke krijuar disa raste dhe duke kontrolluar vazhdimisht ndeshjen. Edhe pse debutues, Bajrami ka pasur një impakt të menjëhershëm në lojën e kuqezinjve, duke qenë një problem konstant për mbrojtjen hungareze.

Rasti më flagrant i pjesës së parë erdhi në minutën e 33-të kur Kumbulla nuk arrin dot të devijojë topin në portë shumë pranë vijës fatale pas një goditje këndi. Sapo kishte nisur pjesa e dytë kombëtarja kishte një shans tjetër shumë të mirë, me Balajn që del i vetëm me portierin, por gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin. Ndërkohë, kryhen edhe zëvendësimet e para me Laçin dhe Roshin që zëvendësojnë Bajramin e Trashin. Edhe Çekiçi hyn në fushën duke zënë vendin e Abrashit. Sërish rast i mirë për Shqipërinë, kur Çekiçi provon brenda zonës, por gjuajtja e tij pritet nga gardiani hungarez.

Në minutën e 78-të trajneri Reja 78′ Reja kryen dy zëvendësime të tjera duke nxjerrë nga fusha Dokën e Balajn për Hoxhallarin dhe Brojën. Ky i fundit do të rezultonte vendimtar pak minuta më vonë, pikërisht në minutën e 86-të. Sulmuesi kuqezi merr një top në sulm dhe pasi krijon hapësirën e duhur në hyrje të zonës lëshon një predhë, që nuk ndalet dot nga portieri i Hungarisë. Topi në rrjetë dhe 1-0 për Shqipërinë!

Tifozët e pranishëm për herë të parë në stadium pas 1 viti e gjysmë për shkak të pandemisë kanë shpërthyer në ovacione pas super-golit të talentit Broja. Në minutat e fundit Kombëtarja arrin të ruajë avantazhin, duke marrë kështu tre pikë me peshë ndaj një prej kundërshtarëve më të fortë në grup. Aktualisht Shqipëria ka 9 pikë, vetëm një më pak se Polonia e vendit të dytë dhe mbetet në lojë deri në fund.