Shqipëria ia del me Poloninë, triumfon me rezultatin e pastër 2-0 - FSHF

Shqipëria ia del me Poloninë, triumfon me rezultatin e pastër 2-0

Shqipëria triumfoi kundër Polonisë me rezultatin 2-0 dhe mori për momentin kreun e grupit E në Kualifikueset e Euro 2024. Në një stadium të mbushur plot, kuqezinjtë ishin futur në fushë me objektivin për të fituar dhe ia dolën me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.

Trajneri Sylvinho kishte zgjedhur nga minuta e parë këtë formacion: Strakosha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti (c), Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Asani, Uzuni, Cikalleshi.
Shqipëria regjistroi një rast të mirë goli me Asllanin, i cili goditi pak mbi tra. Nuk vonoi goli dhe ishte Jasir Asani ai që vendosi të provonte të majtën në minutën e 37-të dhe i shtangu të gjithë nga jashtë zone.

Shqipëria shkoi në pushim në epërsi 1-0, çka i dha qetësi. Trajneri Sylvinho bëri disa zëvendësime dhe nga një prej tyre erdhi edhe goli i qetësisë. Mirlind Daku në minutën e 62-të realizoi dhe vulosi fitoren e Shqipërisë.

Tashmë kuqezinjtë numërojnë 10 pikë në grupin E, dy më shumë se Çekia e vendit të dytë, që ka një ndeshje më pak dhe në tetor vjen në Shqipëri. Takimi është programuar të zhvillohet më 12 tetor.