Shorti i Elite Round të Europianit U-17, Shqipëria njeh rivalët dhe mirëpret ndeshjet e grupit - FSHF

Shorti i Elite Round të Europianit U-17, Shqipëria njeh rivalët dhe mirëpret ndeshjet e grupit

Shqipëria U-17 është njohur po sot me kundërshtarët që do të ketë përballë në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023. Shorti i hedhur në Nyon nga UEFA e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në muajin mars 2023. Siç mund të kuptohet niveli i rivalitetit në këtë fazë është mjaft e lartë e mjafton të përmendim faktin se Franca është kampione në fuqi e Europës në këtë grup-moshë.

Pas shortit, siç e parashikon rregullorja, janë përcaktuar në dakordësi mes federatave pjesëmarrësve dhe vendet pritëse të ndeshjeve për çdo grup, teksa është vendosur që ndeshjet e Grupit 8 të zhvillohen pikërisht në Shqipëri në datat 22, 25 dhe 28 mars 2023.

Në fazën Elite Round marrin pjesë 32 skuadra të ndara në tetë grupe me nga katër ekipe secila. Në fazën finale të Europianit U-17 do të kualifikohen 15 skuadra, të cilave do të t’u bashkohet edhe Hungaria, vendi pritës i kësaj faze që do të zhvillohet në datat 17 maj – 2 qershor 2023.

Sipas rregullores së turneut, tetë skuadrat e renditura në vendin e parë të grupeve së bashku me shtatë vendet e dyta më të mira do të kualifikohen nga Elite Round për në finale. Një pjesë të lojtarëve të Kombëtares U-17 dhe stafi teknik e kanë ndjekur së bashku direkt shortin përmes transmetimit të mundësuar nga UEFA.

Shqipëria U-17 arriti të kualifikohej në këtë fazë pas ndeshjeve të turit eliminator të Europianit 2022/23 që u luajtën në muajin tetor në Kroaci, duke u renditur mes vendeve të treta më të mira të këtij raundi. Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mbylli grupin 7 në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, ndërsa në krye të grupit u rendit Uellsi me 5 pikë.