Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zgjedh delegatët për Asamblenë e FSHF dhe miraton anëtarët e rinj - FSHF

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zgjedh delegatët për Asamblenë e FSHF dhe miraton anëtarët e rinj

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë ka zhvilluar një mbledhje me të gjithë anëtarët e saj për të miratuar statutin e ri të shoqatës, zgjedhjen e delegatëve që do ta përfaqësojnë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së si edhe pranimin e anëtarëve të rinj.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe shefi juridik i FSHF-së, Aldi Topçiu.

Në fillim të mbledhjes së zhvilluar ditën e premten kryetari i SHRFT, Sulejman Mema, pasi prezantoi para anëtarëve rendin e ditës, u shpjegoi atyre procesin e riorganizimit si edhe nevojën për përshtatjen e statutit me rregullat e reja të anëtarësisë në FSHF.

Synimi i këtij riorganizimi është që secila Shoqatë Rajonale të organizojë në mënyrë të pavarur futbollin në çdo rajon dhe përfaqësimin në mënyrë të barabartë të futbollit profesionist në vendimmarrje, duke qenë që të gjithë të përfaqësuar.

Pas verifikimit të përbërjes së mbledhjes, u vijua me procesin e pranimit të anëtarëve të rinj në këtë shoqatë, që janë Shoqata “Red Eagles Soccer Academy”, Shoqata EM&MA Tirana, Shoqata Akademia e futbollit Lions Fc, Shoqata Sportive Spartak Tirana dhe akademitë e KF Tirana, Partizani, FK Dinamo dhe FC Internacional Tirana.

Të gjitha këto subjekte në fjalë plotësojnë kriteret statutore për t’u anëtarësuar dhe kishin paraqitur pranë Shoqatës të gjithë dokumentacionin përkatës të nevojshëm. Anëtarët e SHRFT votuan unanimisht për pranimin e anëtarëve të rinj.

Më pas, u kalua në shqyrtimin e projekt-statutit të ri të shoqatës, që u ishte prezantuar më parë anëtarëve të SHRFT e që u miratua gjithashtu me konsensus në përfundim të diskutimeve.
Në fund, u zgjodhën delegatët me të drejtë vote, të cilët do të përfaqësojnë shoqatën në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, të cilët janë Hamit Tarkaj, Ervin Canollari, Redi Jupi, Alban Bushi, Gelda Lilo, Adriatik Delimurati, Akil Jakupi dhe Ejon Stavri.

I gjithë procesi i votimit u shoqërua me diskutime konstruktive mbi mbledhjet e ardhshme të kësaj shoqate dhe ecurisë së mëtejshme të aspektit organizativ.

Kryetari i SHRFT, Sulejman Mema, shprehu bindjen se emrat e votuar nga anëtarësia e kësaj shoqate do të përfaqësojnë me seriozitet shoqatën ne Asamblenë e radhës së FSHF-së.