Armando Broja është pa dyshim lojtari kuqezi i momentit. Sulmuesi shqiptar, i cili aktivizohet në radhët e ekipit të Southampton në Premier Ligën angleze po bën mjaft mirë, teksa ka lënë pas dëmtimin dhe mbrëmjen e kaluar ka arritur të gjejë edhe golin e gjashtë në kampionat.
Djaloshi kuqezi është aktivizuar që nga minuta e parë në transfertën ndaj skuadrës së Tottenhamit të Antonio Contes, teksa gjeti golin e barazimit të përkohshëm në minutën e 23-të të takimit, me një gjuajtje nga brenda zonës, duke e dërguar topin në rrjetë.
Ky nuk ishte rasti i vetëm për Armando Brojën, i cili i shkon shumë afër edhe golit të dytë, i cili arrin të kalojë tre kundërshtarë, e më pas godet, por pa gjetur portën e Spursave.
Në minutën e 90-të, talenti shqiptar u zëvendësua nga trajneri, teksa pa diskutim që ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes. Sipas uebsajtit të specializuar për statistika, Broja është vlerësuar me notën 6.9, ku vihet re saktësia në pasime me 63.6%.

















