Seleksionimi i Kombëtares U-19, Cungu: Ka lojtarë me vlera, u japim shansin të tregojnë potencialet (VIDEO) - FSHF

Seleksionimi i Kombëtares U-19, Cungu: Ka lojtarë me vlera, u japim shansin të tregojnë potencialet (VIDEO)

Ekipi Kombëtar U-19 ka zhvilluar sot një seleksionim njëditor me 25 lojtarë, të cilët aktivizohet me klubet e kampionatit shqiptar. Seleksionimi është zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të FSHF në Kamëz nën drejtimin e trajnerit të ekipit Kombëtar, Armando Cungu dhe stafi të tij teknik. Duke folur për Fshf.org, tekniku kuqezi ka shpjeguar edhe fokusin e tij në të ardhmen dhe ecurinë e deritanishme të punës që po bëhet me lojtarët e kësaj grupmoshe që aktivizohen në kampionatin shqiptar.

“Para një muaji ne zhvilluam një seleksionim 3-ditor, në përgjithësi ishin lojtarë të vitlindjes 2002 dhe kjo me mendimin se do të zhvillohej një aktivitet europian në Çeki e kjo ishte arsyeja që ne e bëmë atë grumbullim shumë shpejt. Fatkeqësisht ai aktivitet i planifikuar nuk u zhvillua dhe po fatkeqësisht brezi i vitit 2002 pothuajse digjet, pra është e pamundur të marrë pjesë në aktivitete. Kështu që duke parë nga e ardhmja do të fokusohemi më shumë te vitlindja 2004 dhe ndonjë element i brezit të 2004-s. Kjo është hera e parë që ne i japim mundësi, gjithmonë duke u fokusuar tek ekipet e Kategorisë Superiore në kampionatin shqiptar dhe duke u fokusuar te lojtarët e lindur në vitin 2003. Konkretisht sot është grupi B, nëse mund ta quaj kështu grupin e jugut, dhe javën tjetër do të seleksionojmë edhe grupin A, grupin e veriut, vetëm brezin e 2003-shit për momentin dhe do të kemi një pasqyrë më të qartë sa i përket potencialeve që ka ky brez. Pastaj do të merremi me të njëjtin sistem edhe me brezin e lojtarëve të lindur në vitin 2004. Them se krijojmë në një farë mënyre një ekip kombëtar me lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar”, – tha Cungu.

Gjithashtu, trajneri i ekipit Kombëtar U-19 shfrytëzoi rastin për t’u bërë ftesë klubeve shqiptare, që të punojnë më shumë me talentet e reja dhe të sugjerojnë të gjithë elementët cilësorë që kanë në ekipet e tyre të moshave, në mënyrë që të mbahen në vëzhgim të gjithë lojtarët e vlefshëm për t’u grumbulluar në ekipet kombëtare. “Nuk mund të pretendoj për një muaj që të kem mundësinë dhe shansin për të parë të gjithë lojtarët që luajnë në Kategorinë Superiore. Kam parë pjesën më të madhe të lojtarëve që aktivizohen në pjesën e veriut, sikurse edhe kolegu im është përpjekur të vëzhgojë pjesën e jugut. Kjo është edhe një ftesë që i kemi bërë të gjitha ekipeve të Superiores, duke respektuar edhe trajnerët, kubet dhe institucionet e tyre për të punuar dhe për të adresuar lojtarët që janë më të mirë, më seriozë dhe më kualitativ në ekipet e tyre. Kjo është edhe arsyeja për t’i parë, vëzhguar dhe për të përzgjedhur elementët që janë më të nevojshëm për ekipin kombëtar”, – theksoi Cungu, teksa më tej foli dhe për vështirësitë me të cilat është përballur në këtë moment për shkak pandemisë dhe pamundësive për të testuar lojtarë, të cilët aktivizohen në klube të huaja.

“Pandemia ka ndikuar më shumë për të krijuar një ekip kombëtar solid, me lojtarët më të mirë të mundshëm. Lojtarët që aktivizohen jashtë e kanë thuajse të pamundur për të ardhur në Shqipëri, jo vetëm për vështirësinë që paraqet Shqipëria që është futur në zonën e kuqe, por edhe sepse në pjesën dërrmues të vendeve ku ata jetojnë kanë edhe një karantinë dyjavore të detyrueshme. Duke patur parasysh, që janë lojtarë të klubeve cilësore në Europë, është shumë e vështirë që ta lënë lojtarin të grumbullohet për një ndeshje miqësore apo qoftë për një grumbullim 2-ditor për të mos thënë e pamundur për momentin. Kjo është keqardhja ime më e madhe, por duhet t’i përshtatemi kushteve”, u shpreh trajneri shkodran.
Në fund, ai shfaqet optimist për prurjet që ofron aktualisht futbolli shqiptare, ndërsa shtoi se të gjithë duhet ta tregojnë në fushë se duhet ta meritojnë fanellën e kombëtares shqiptare.
“I qëndroj bindjes se futbolli shqiptar ka lojtarë të cilët kanë vlera, duhen evidentuar dhe duhet t’u jepet mundësia për të zbritur në fushën e lojës dhe të tregojnë se e meritojnë fanellën e Kombëtares. Unë e shikoj me shumë kënaqësi dhe do t’i jap rëndësinë e duhur. Patjetër, lojtarët që aktivizohen në klube të huaja duhet të vijnë dhe duhet të tregojnë diferencë me lojtarët e Kategorisë Superiore. Në të kundërt, nëse nuk ka diferencë atëherë patjetër që do të preferohen lojtarë të cilët i shohim çdo ditë, i ndjekim çdo ditë dhe mund t’i vlerësojmë më mirë çdo ditë”, – tha trajneri i ekipit Kombëtar U-19.

Përveç testeve fizike e taktike, në këtë seleksionim u zhvillua edhe një ndeshje kontrolli, ku futbollistët e rinj patën mundësi të tregonin vlerat e tyre në fushën e blertë.