Sektori Mjekësor mbledh doktorët & fizioterapistët e ekipeve, Stesina: Kursi për ndihmën e shpejtë, hapi i radhës - FSHF

Sektori Mjekësor mbledh doktorët & fizioterapistët e ekipeve, Stesina: Kursi për ndihmën e shpejtë, hapi i radhës

Programimi i një sezoni futbollistik është gjithmonë i rëndësishëm për të pasur një sezon të mirë. I tillë është edhe për aspektin mjekësor, i cili luan një rol jetik brenda një skuadre futbolli duke ndihmuar në parandalimin e dëmtimeve, kurimin dhe rikuperimin në kohë më të parë të mundshme të një lojtari, duke ja vendosur stafit teknik në dispozicion. Sezoni i ri që është në prag ka sjellë edhe një mbledhje në Federatën Shqiptare të Futbollit të të gjithë mjekëve dhe fizioterapistëve të skuadrave kombëtare, ku përgjegjësi i Sektorit Mjekësor, Gianluca Stessina dhe Koordinatori Ilvi Begolli, falënderuan stafin për vitin e kaluar nën vështirësitë e Pandemisë dhe shpalosët programin për vitin e ardhshëm, ku organizimi i një kursi për ndihmën e shpejtë dhe një tjetër kurs për rikuperimet e traumave sportive janë në qendër të objektivave vjetor.

Duke folur për fshf.org, Gianluca Stessina, ka shpjeguar në detaje këtë mbledhje të ditës së sotme.“Kemi thërritur këtë takim me të gjithë mjekët dhe fizioterapistët e ekipeve kombëtare për t’i falënderuar për punën që kanë realizuar gjatë këtij viti të vështirë me Covid-19. Të gjithë janë përshtatur përballë çdo vështirësie dhe nevoje që ka lindur, na kanë dhënë një dorë, duke arritur të kalojmë mirë këtë emergjencë me të cilën u përballëm të gjithë. Elementi dytë, po aq i rëndësishëm, është programimi i punës për vitin e ardhshëm. Federata jonë është duke u rritur në të gjithë sektorët, dhe duam që edhe sektori mjekësor të rritet mirë, shumë shpejt, për të qenë në nivelin e kombëtareve të mëdha europiane. Kjo është edhe arsyeja që mbledhja jonë e sotme ka për synim programimin e punës për sezonin e ardhshëm jo vetëm në aspektin organizativ por edhe në drejtimin e kurseve që duhet të zhvillojmë për t’u përmirësuar – nënvizon Stessina. – Në të njëjtën edhe për të propozuar dhe organizuar një kurs për ndihmën e shpejtë, pas ngjarjes së ndodhur në Kampionatin Europian. Një kurs që në gjykimin tonë është shumë i rëndësishëm për t’u zhvilluar”.

Planet e të ardhmes? “Ky takim është edhe për t’u shpjeguar të gjithë terapeutëve që ne do të zhvillojmë një kurs shumë mirë të strukturuar për të gjithë pjesën e mjekësisë sportive, me 9 takime, pothuajse një takim në muaj, për tre ditë, ku do të diskutojmë dhe prekim të gjithë dëmtimet që mund të ndodhin në fushën e lojës, nga emergjencat te dëmtimet muskulare traumatike dhe do të shpjegojmë formën sesi mund të trajtohen në mënyrën më të mirë. Kjo bëhet për të pasur një rritje profesionale të rëndësishme për të gjithë mjekët dhe fizioterapistët.”