Sektori i Arbitrimit në FSHF, seminar teorik e teste fizike me arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Parë - FSHF

Sektori i Arbitrimit në FSHF, seminar teorik e teste fizike me arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Parë

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka organizuar këtë fillimjavë seminarin teorik dhe testet fizike për arbitrat dhe asistentët e kampionatit Kategoria e Parë në prag të rifillimit të edicionit futbollistik 2022-2023.

Pas seminarit me arbitrat dhe asistentët e kategorisë “Abissnet Superiore” pak ditë më parë, këtë herë ishte radha e arbitrave të Kategorisë së Parë që i janë nënshtruar testeve fizike, që e kanë kaluar me sukses dhe më pas kanë vijuar me pjesën teorike dhe video-testet.

Gjithashtu, është analizuar edhe performanca e tyre gjatë pjesës së parë të sezonit dhe problematikat e hasura gjatë ndeshjeve të kësaj kategorie apo edhe aspektet e punës së arbitrave që janë për t’u përmirësuar.

Qëllimi i seminarit është përmirësimi i nivelit të arbitrimit shqiptar, teksa të gjithë arbitrat dhe asistentët kanë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më tepër për ndryshimet e rregullave të lojës dhe të analizojnë momente konkrete gjatë një ndeshjeje me shembuj video.

Instruktori i arbitrave, Albano Janku, duke shpjeguar procesin e seminarit shprehet se performanca e arbitrave gjatë testeve ka qenë e kënaqshme dhe përgatitjet kanë shkuar shumë mirë.

“Pas përfundimit me sukses të seminarit me arbitrat dhe asistentët e kategorisë ‘Abissnet Superiore’ javën e kaluar si dhe përfundimit të seminarit me vëzhguesit e kësaj kategorie, këtë hera ishte radha e seminarit me arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Parë. Në fakt, ky është një prej dy seminareve kryesore që zhvillohet gjatë një sezoni, një në fillim dhe një pas pauzës dimërore, duke iu bashkangjitur edhe seminareve të tjera që zhvillohen çdo muaj. Seminari nisi me pjesën e video-testit, ku të gjithë arbitrat dhe asistentët iu nënshtruan 20 pyetjeve të video-testit dhe më pas kaluam në fushë për zhvillimin e testeve fizike për të parë përgatitjen e arbitrave. Duhet thënë se jemi të kënaqur, sepse performanca e tyre gjatë zhvillimit të testimeve ishte e mirë”, – tha janku në një prononcim për Fshf.org.

Gjithashtu, Janku theksoi edhe rëndësinë e përditësimit të njohurive të arbitrave dhe analizës së rasteve të diskutueshme për të perfeksionuar nivelit e arbitrimit gjatë ndeshjeve.

“Deri në këtë fazë të sezonit, jemi të kënaqur me performancën e arbitrave, si atyre të kategorisë ‘Abissnet Superiore’ ashtu edhe të arbitrave të kampionatit Kategoria e Parë dhe këto seminare janë pjesë e ndihmës për arbitrat për të perfeksionuar akoma më shumë dijet e tyre me përditësimet më të fundit të UEFA-s dhe FIFA-s, një proces që u zhvillua me të gjithë nivelet e arbitrave.

Edhe te pjesa teorike janë të njëjta tema, pjesë e të cilave kanë një zhvillim të mëtejshëm në interpretimet e rasteve, kemi të bëjmë më pjesën e pozicionit jashtë loje, me pozicionimin dhe lëvizje në fushë si edhe me prekjet e topit me dorë, që janë edhe pjesa më delikate që ja diskutime”, – theksoi instruktori i arbitrave, Janku.

Në këtë seminar morën pjesë 65 arbitra dhe asistentë të Kategorisë së Parë.