Rrugëtim historik në kualifikueset e Botërorit, Shqipëria mund Andorrën dhe e mbyll e 3-ta në grup - FSHF

Rrugëtim historik në kualifikueset e Botërorit, Shqipëria mund Andorrën dhe e mbyll e 3-ta në grup

Shqipëria ka arritur të mbyllë me sukses rrugëtimin në kualifikueset e vlefshme për kampionatin Botëror “Katar 2022” teksa ka fituar ndaj Andorrës me rezultatin 1-0 në stadiumin Kombëtar “Air Albania”.

Në ndeshjen e zhvilluaur pa tifozë në Tiranë, kuqezinjtë e Edy Rejës kanë bërë një paraqitje të mirë, ndërsa morën një tre pikësh me shumë vlerë në klasifikimin përfundimtar në grupin I.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Strakosha, Hysaj, Mihaj, Dermaku, Hoxhallari, Roshi, Ramadani, Laçi, Çekiçi, Uzuni, Seferi. Kuqezinjtë janë dukshëm më superiorë në pjesën e parë të lojës, teksa dominojnë në qarkullimin e topit, por nuk arritën dot të kalonin në avantazh.

Ndërkaq, në pjesën e dytë, trajneri Reja bën edhe dy zëvendësimet e para, teksa për herë të parë me Kombëtaren shqiptare debuton Ernest Muçi i cili zëvendëson Taulant Seferin, ndërsa Ylber Ramadani del për t’i lënë vendin Nedim Bajramit.

Të pafat kuqezinjtë të cilët luajnë mirë dhe vazhdojnë me ritmin e pjesës së parë, duke kontrolluar lojën. Në minutën e 73-të sulmuesi Myrto Uzuni arrin të fitojë një 11-metërsh pas një goditje nga këndi, ku beratasi rrëzohet në zonë, me gjyqtarin që akordon penallti në favor të Shqipërisë. 11-metërshi i besohet Endri Çekiçit, i cili e ekzekuton në mënyrë mjaft të saktë, që i dha dhe fitoren e gjashtë Kombëtares shqiptare në këtë edicion kualifikuesesh.

Shqipëria mbyll kështu kualifikueset me këtë ndeshje të fundit ndaj Andorrës, ekip me të cilin edhe e nisi këtë rrugëtim, në kuotën e 18 pikëve. Historike për Kombëtaren shqiptare, që kurrë më parë nuk kishte arritur të grumbullonte kaq pikë në një grup eliminatoresh. Kuqezinjtë arritën të fitojnë 6 nga 10 ndeshje, ndërsa humbën 4 nga 10 të tilla, duke numëruar nga dy fitore me Hungarinë, San Marinon dhe Andorrën si dhe nga dy humbje kundër Anglisë dhe Polonisë.


Duke kontrolluar karten...