Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi ka dhuruar spektakël në kampionatin turk ditën e sotme, teksa është rikthyer sërish te goli.
Cikalleshi ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë në ndeshjen që Koniaspori zhvilloi ndaj Gëztepesë. Ai arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 25-të të takimit, teksa shfrytëzon më së miri një asist brenda zonës kundërshtare, duke e shtyrë topin në rrjetë. Sulmuesi shqiptar do të shënonte edhe golin e dytë në pjesën e dytë të lojës, pikërisht në minutën e 72-të.
Me këto dy gola të shënuar, Sokol Cikalleshi i dha tre pikë skuadrës së tij, teksa sipas uebsajtit të specializuar për statistika, ai është vlerësuar me notën 9.3, duke qenë kështu edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.
Një lajm i mirë jo vetëm për Koniaspor, por edhe për Kombëtaren shqiptare, që duke nisur nga nesër do të grumbullohet për dy ndeshjet e mbetura ndaj Anglisë dhe Andorrës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

















