Rikthehet kampionati i femrave/ Kryeqyteti pret tre sfida, Apolonia pushim - FSHF

Rikthehet kampionati i femrave/ Kryeqyteti pret tre sfida, Apolonia pushim

Kampionati Kombëtar i futbollit të femrave do të rikthehet të luhet ditën e shtunë. Pas shkëputjes thuajse 10 ditore që erdhi për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, të vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”, java e 7-të e këtij kampionati do të nisë ditën e shtunë me katër ndeshje, ndërsa të dielën do të luhet sfida e fundit.

Kinostudio – Atletik Club është ndeshja e parë hapëse e kësaj jave, me kryeqytetaset që do të presin në Tiranë shkodranet, në sfidën që nis nga ora 10:00 e paradites. Më tej, dy ndeshje të tjera do të luhen po në kryeqytet, ku Partizani do të presë Skënderbeun, ndërsa Tirana luan përballë Murlanit. Të kuqet e Partizanit vijnë pas një pushimi të gjatë që patën si pasojë edhe e kalendarit të planifikuar, ndërsa korçaret u mundën në ndeshjen e fundit nga ekipi i Tiranës, ndërsa të dyja skuadrat do të kërkojnë të dalin me pikë nga kjo sfidë që luhet po të shtunën nga ora 12:00.

Bardheblutë e Tiranës kanë pasur një ecuri mjaft pozitive në këtë edicion të ri, teksa në gjashtë javë numëron 15 pikë (një ndeshje më pak për shkak të kalendarit). Të dyja ekipet vijnë nga fitoret respektive, ku Tirana fitoi ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut ndërsa Murlani mori një fitore kundër Teutës. Edhe kjo ndeshje do të luhet në kryeqytet dhe do të nisë në ora 14:00. Në po të njëjtin orar, Teuta do të presë në Durrës Tirana AS, në një sfidë mjaft delikate.

Të dielën drejt Lushnjes do të udhëtojnë kampionet aktuale të Vllaznisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet duke nisur nga ora 13:00, teksa do të shënjojë edhe fundin e javës së shtatë. Aktualisht, në krye të renditjes së kampionatit është Apolonia e Fierit, që këtë javë është pushim për shkak të kalendarit të paracaktuar, ndërsa Tirana renditet e dyta e më tej vjen Vllaznia.

 

Java e shtatë e kampionatit:

E shtunë

Kinostudio – Atletik Club  ora 10:00

Partizani – Skënderbeu    ora 12:00

Tirana – KF Murlani           ora 14:00

Teuta – Tirana AS               ora 14:00

E diel

Lushnja – Vllaznia              ora 13:00

× WhatsApp