Rey Manaj vazhdon të tregojë formë të mirë në Spanjë, teksa këtë të diel ka shënuar dopietë me ekipin e Barcelona B.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka realizuar dy gola në ndeshjen që katalanasit zhvilluan ndaj ekipit të Murcias, sfidë e vlefshme për gjysmëfinalen e Play-Off-it.
Manaj barazoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 47-të të takimit, ndërsa ekipi i Murcias kishte kaluar në avantazh që në minutën e 34-t të pjesës së parë. Shqiptari shënoi saktë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa pak minuta më vonë ai shënon dhe golin e dytë të ndeshjes. Nga mesfusha, Manaj shmang disa lojtarë, duke u afruar në hyrje të zonës dhe duke e dërguar topin saktë në cepin e portës.
Pavarësisht paraqitjes së mirë të shqiptarit me katalanasit, koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me shifrat 2-2, teksa në finalen e play-off-it kaluan vendasit e ekipit të Murcia, pas gjuajtjeve të penalltive, ku fituan me rezultatin 5-4.
Paraqitja e shkëlqyer e Rey Manaj me ekipin e Barcelonës B është një lajm i shkëlqyer edhe për Kombëtaren shqiptare, që në qershor do të zhvillojë dy ndeshje miqësore, ndaj Uellsit (5 qershor) dhe Republikës Çeke (8 qershor).

















