Reja dhe Cikalleshi para Islandës: Nëse duhet të rritemi, duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar! - FSHF

Reja dhe Cikalleshi para Islandës: Nëse duhet të rritemi, duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar!

Shqipëria do të zbresë sërish në fushë ditën e martë (nesër) për të zhvilluar sfidën e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Islandës. Kuqezinjtë rikthehen të luajnë ndaj ishullorëve në shtëpinë e tyre në ‘Air Albania’, në prani të mijëra tifozëve shqiptarë.

Këtë të hënë, trajneri Edoardo Reja dhe sulmuesi i ekipit Sokol Cikalleshi kanë dalë në konferencën zyrtare për media ku folën për takimin e nesërm ndaj Islandës.

Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, tekniku Italian rikomentoi edhe njëherë humbjen e Kombëtares ndaj Izraelit, ndërsa më tej u ndal edhe te ndeshja e fundit ndaj Islandës në Ligën e Kombeve, ku kërkon nga lojtarët që të jenë të qetë e të sillen mirë në fushën e lojës.

9 ndeshje, vetëm një fitore, çfarë nuk funksionon me skuadrën? – I kemi listuar shpesh motivet se pse kemi humbur apo se pse nuk po arrijmë të marrim rezultatin që ne dëshirojmë. Prisja që në këtë edicion të Nations League ne të tregonim që kemi rritje si skuadër dhe në miqësoret që kemi zhvilluar më parë ne e kemi treguar një gjë të tillë, pasi kemi bërë paraqitje shumë të mira. Kujtoj miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë, ku kemi bërë ndeshje të mira, ashtu sikurse edhe ndaj Polonisë pavarësisht se nuk kemi arritur të fitojmë. Kemi kaq kohë që flasim për të bërë hapin cilësor që na mungon. Flasim për gabimet, siç ndodhi herën e fundit dhe nuk janë gabime që ndodhin nga repartet, por janë gabime individuale. Ne po i bëjmë shpesh dhe kundërshtarët tanë nuk po bëjnë dhe po shfrytëzojnë dobësitë tona. Siç e tha edhe Cikalleshi, është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë të gjithë bashkë dhe të shohim përpara. Të përmirësojmë gabimet. Kemi folur pas ndeshjes me Izraelin, kemi bërë shumë gabime. Të dy golat ishin në një farë mënyre ‘dhurata’. Kur barazuam u dhamë shumë hapësira të kundërsulmonim dhe të zbrisnin rrezikshëm, gjëra që nuk duhet kurrsesi të ndodhin. Humbëm ekuilibrin që nuk duhet të na ndodhë dhe duhet të përmirësohemi.

Kundër Islandës, ndryshim në formacion dhe te lojtarët? – Sigurisht që mund të ketë ndryshime në ndeshjen ndaj Islandës. Janë dy ndeshje brenda tre ditësh dh është normale që unë të shoh të gjithë grupin në dispozicion dhe të bëj vlerësimet e mia. Edhe lodhja dhe ngarkesa e madhe fizike ndikon. Fola me mjekun dhe besoj se deri nesër do të kem një gjendje më të qartë të gjithë lojtarëve dhe shpresoj që t’i kem të gjithë në dispozicion. Janë të lodhur, rreth 5-6 lojtarë nuk kanë pasur shumë minuta me klubet dhe në ndeshje të tilla që kanë kaq shumë presion, e ndjejnë pak më shumë. Duhet të bëj vlerësimet e mia nëse do të jenë të gjithë në formë, ose jo, do të shohim. Më pas do të marr vendimet e mia, por sigurisht që mund të ketë ndonjë ndryshim edhe në skemë, por edhe në emra lojtarësh. Ajeti nuk është stërvitur rregullisht me skuadrën pasi ka pasur pak temperaturë dhe do na duhet të presim deri nesër për të marrë një vendim.

Në drejtimin tuaj skuadra nuk e ka përmbysur rezultatin- shpjegimi i trajnerit – Kemi parë shpesh që në minutat e fundit, na ka ndodhur që rezultati i ndeshjes ka ndryshuar dhe është përmbysur gjithçka dhe duhet të jemi të kujdesshëm deri në fund. Sa i përket pyetjes, është normale që kur pëson gol të demoralizohesh dhe kuptohet që ke pak probleme me aspektin psikologjik. Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë, pasi edhe pasi pëson gol, ti ke kohën e duhur për të rikuperuar dhe për të kthyer rezultatin. Por kjo është çështje karakteriale, është diçka që mbetet më shumë te pjesa karakteriale e një ekipi. Nuk ka një shpjegim të qartë. Para së gjithash, siç na ndodhi ne me Izraelin që kishim një dëshirë të madhe për të fituar, duhet një organizim i mirë. Duhet që skuadra të ruajë ekuilibrin dhe aty kthehemi te diskutimi i gabimeve. Ne u nisëm për fitore. Kaluam në disavantazh të parët, lamë shumë hapësira, por sigurisht në këto momente është pjesa psikologjike që duhet t’i ndihmojë lojtarët dhe ekipit të reagojnë mirë dhe pse jo për ta përmbysur ndeshjen.

E ardhmja e trajnerit Reja – Në këto momente mendoj vetëm për Islandën, për ndeshjen e nesërme. Për të ardhmen nuk i dihet kurrë, zoti e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Si do të zbresë nesër skuadra në fushë lidhur me aspektin psikologjik pas humbjes me Izraelin që është kritikuar shumë – Ndaj Islandës ne duhet të jemi sa më në formë, edhe në aspektin karakterial të tregojmë se sa vlejmë. Për mua kritikat nuk është se më shqetësojnë shumë. Lojtarët mund t’i ndjejnë më shumë, por për mua është normale. Lojtarët duhet të reagojnë mirë dhe duhet të jenë pak më të karikuar e të kenë agresivitetin e duhur në fushë. Islandën e njohim, unë e kam nisur ndaj Islandës. Është një skuadër që mund ta mposhtim, vetëm se duhet të sillemi mirë në fushën e lojës dhe të shmangim gabimet e shumëpërfolura dhe të jemi shumë më të qetë në fushë. Të mendojmë për ndeshjen dhe asgjë tjetër.

Edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, teksa foli për situatën aktuale të skuadrës, pas humbjes me Izraelin. Cikalleshi tregoi se nesër ndaj Islandës kuqezinjtë kërkojnë fitoren ndërsa bëri disa herë thirrjen për të gjithë se Kombëtarja duhet mbështetur në çdo moment.

Çfarë nuk shkon me skuadrën? – Është një situatë jo e mirë për momentin. Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim, pasi vetëm 3 pikët na mbanin në lojë. Presioni ishte mbi ne, edhe Izraeli kishte presionin e tij. Tani që mbaron ndeshja mund të kemi shumë gjëra për të korigjuar. Si lojtarët, edhe stafi, jemi ulur të analizojmë që po vazhdojmë të bëjmë po të njëjtat gjëra, gabime individuale që po na ndikojnë. Po na ndodhin ne fatkeqësisht dhe jo ekipit kundërshtar sepse futbolli është lojë gabimesh dhe në një moment apo në një tjetër, mund të përfitosh nga to. Kohët e fundit ne nuk kemi përfituar dhe kemi qenë ne ata që kemi gabuar. Këtë duhet të përmirësojmë.

Pse nuk kemi një fitore në Ligën e Kombeve? – Fitoren urojmë ta kemi nesër, pasi ende nuk ka përfunduar. Kemi një ndeshje që për mendimin tim është shumë e rëndësishme, pasi jemi në vendin e tretë dhe mund të përfundojmë në vendin e dytë. Me trajnerin Reja, krahasuar me trajnerin De Biasi kemi pasur një futboll disi më ndryshe, më difensiv dhe atëherë pyetjet ishin se pse nuk shënonim, ndërsa tani kemi pasur një skemë më ofensive duke u fokusuar më shumë te dy sulmuesit dhe duke u fokusuar më shumë përpara portës e duke arritur të shënojmë. Duhet të kuptojmë që futbolli nuk është vetëm te pjesa e të mbrojturit mirë apo të sulmuarit mirë, por është diçka komplekse dhe duhet të funksionojmë të gjithë repartet. Përveç anës taktike dhe analizës që duhet të bëjmë ne lojtarët, pasi kanë qenë gabime që i kemi bërë gjatë ndeshjes, është përqëndrimi që duhet të jetë më i madh dhe të jemi mbështetje për njëri-tjetrin që na bën neve të ecim përpara, pasi ne jemi ekip i vogël dhe nuk jemi Anglia, Franca. Ne si ekip i vogël, vetëm me dëshirë e pasion mund të arrijmë gjëra të mëdha.

Sa e vështirë do të jetë nesër ndaj Islandës? – Çdo ndeshje është e vështirë, pavarësisht se është morali. Tashmë situata nuk është e mirë, ne e pranojmë këtë gjë. Nuk mund të themi asgjë lidhur me situatën, pasi ne donim vendin e parë. Tashmë kjo nuk është e mundur, por ne kemi një ndeshje përpara që do të kërkojmë vendin e dytë dhe do të tentojmë të fitojmë ndeshjen nesër. Ne jemi në një pozicion tashmë që edhe kritikat janë lëshuar ndaj nesh, por kjo është Kombëtare, është krenari për të gjithë ne dhe shqiptarët që na ndjekin. Nganjëherë, me të drejtë edhe mund të na kritikojnë, por ne kemi nevojë për mbështetje dhe jemi në një moment që duhet të jemi bashkë dhe vetëm bashkë mund t’i bëjmë gjërat më mirë se ç’janë. Kështu që nesër uroj që mbështetja të jetë e madhe pasi shumë shpejt vijnë edhe ndeshjet e eliminatoreve të Europianit që janë shumë të rëndësishme. Kishim një mundësi për të shkuar në play-off me Nations League, nuk e bëmë dot, por eliminatoret janë shumë afër dhe mbështetja e të qenit bashkë është shumë e rëndësishme, pasi kështu mund të arrijmë rezultate.

Çfarë kemi folur me njëri-tjetrin pas ndeshjes? – Lojtarët ishin të shkatërruar emocionalisht pas ndeshjes, po ashtu edhe nga lodhja. Kemi folur aty, vazhdojnë këto biseda edhe këtu. E gjitha fillon te gabimet që nuk po na ndahen. Nuk drejtojmë gishtin te një lojtar, pasi ne jemi të gjithë bashkë, jemi një familje e madhe dhe do vazhdojmë të jemi kështu. Gabimet ndodhin në futboll, por mos të na ndodhin vetëm ne. Kjo është ajo çka ne flasim. Detajet e vogla bëjnë diferencën dhe detajet e vogla duhet t’i shohim shumë me rëndësi dhe uroj që këto gabime të mbarojnë sa më shpejt, pasi kualitetet janë. Ka lojtarë të rinj me shumë cilësi, duan kohën e tyre. Nuk duhet t’i fusim në presion. Futbolli nuk është për një ditë, është në vazhdimësi. Po ashtu, ne ‘të vjetrit’, nuk jemi shumë. Po presim shumë nga të rinjtë që po na vijnë dhe duhet të jemi më shumë dashamirës në këtë aspekt duke qenë mbështetje për të gjithë. Si unë, edhe trajneri jemi në një situatë që nuk mund të kërkojmë shumë në këtë moment, por Kombëtarja është Kombëtare. Është krenari dhe duhet të vazhdojmë ta mbështesim. Dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën, jua sigurojmë këtë. Futbolli është me ulje dhe ngritje po tentojmë te dalim sa më shpejt nga kjo situatë.

Presion për të fituar nesër kundër Islandës? – Situata nuk është shumë e mirë. Është një ndeshje ku ne i kemi mundësitë për ta fituar dhe të rregullojmë ato pak gjëra që janë detaje, të cilat bëjnë diferencën. T’ia lëmë fushës, nuk dua të flasim shumë përpara ndeshjes. Ndeshja kundër Izraelit duhej fituar, ndërsa kjo e nesërmja është një ndeshje për moral dhe për të treguar që ne mund të ringrihemi më të fortë dhe për të bërë atë që duan të gjithë shqiptarët që Kombëtarja të jetë aty ku e meriton.